Ditën e sotme, Vllaznia U21 bëri një tjetër hap të gabuar në ndeshjen e rradhës për kampionat, teksa nuk ka marrë më shumë se sa një pikë nga barazimi 1-1. Një barazim ky që “djeg” sepse u arrit ndaj një nga skuadrave kryesusese kampionatit të 21-vjeçarëve, Dinamos.

Megjithatë, një nga futbollistët që spikati sot te Vllaznia U21 në ndeshjen ndaj Dinamos, ishte padyshim Eraldo Deda. Mesfushori ka shënuar sot një supergol, me një gjuajtje nga jashtë zone, duke kaluar në avantazh Vllaznia U21, por goli i tij nuk mjaftoi më pas, me skuadrën shkodrane që nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Dinamos.

Deda ka arritur të shënojë 4 gola deri më tani me skuadrën U21, teksa në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai shpreh keqardhje për ndeshjen e sotme, ku nuk arritën të fitonin, ndërsa thekson se ata do të rikthehen sërish në krye të klasifikimit.

“Të them të drejtën, keqardhje, sepse ishte ndeshje me kundërshtarin tonë direkt, Dinamon, ku duhej fitore me doemos, por që nuk ia arritëm qëllimit. Të them të drejtën, na prish punë ky barazim i sotshëm, por ka edhe shumë ndeshje dhe ne nuk do ta shohim këtë barazim si ndonjë tragjedi. Do të jemi prapë aty ku na takon, në krye të klasifikimit”,-shprehet ai.

Deda flet edhe për ndeshjen e rradhës ndaj Tiranës, teksa shpreson që shokët e tij të marrin fitoren ndaj bardhebluve. 20-vjeçari nuk do të luajë në këtë ndeshje, për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve.

“Me Kukësin dhe Dinamon ishin dy ndeshje që duhej të fitoheshin të dyja, por që nuk ndodhi kështu. Të shpresojmë që ndeshjen e rradhës ndaj Tiranës, të kthehemi te fitorja dhe mos të bëjmë më hapa fals deri në fund. Për fat të keq, nuk do jem këtë ndeshje për shkak të kartonave. Më vjen shumë keq, por në ekip ka shumë lojtarë të mirë dhe cilësorë, ku besoj që çunat do arrijnë të fitojnë”,-thekson 20-vjeçari shkodran.

Deda ka edhe një dedikim për golin e sotshëm, teksa shprehet se ai dhe shokët e tij do luftojnë deri në fund të jenë aty ku i takon të jetë emrit të Vllaznisë.

“Ky gol shkon për të gjithë djemtë që sot dhanë çdo gjë që të dalim me 3 pikë nga fusha, por për fat të keq nuk ia arritëm. Ne jemi Vllaznia dhe do luftojmë deri në fund të jemi aty ku i takon me qenë Vllaznisë”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Vllaznisë U21, Eraldo Deda.
Maringlen ZHIVANI