Dy rekorde të reja kombëtare ka përmirësuar atleti i talentuar shkodran, Franko Burraj, në Lojërat Mesdhetare të Algjerisë. Menjëherë, pas kthimit në Shqipëri, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai tregoi emocionet e përjetimit të një veprimtarie kaq të rëndësishme, ku me të vërtetë forma sportive e Burrajt ishte mjaft e mirë.

Burraj u shpreh se ai stërvitet në kushte jo të mira dhe me problematika të ndryshme, por megjithatë thotë se puna e tij iu shpërblye me një rezultat shumë të mirë. I pyetur rreth mungesës së trajnerit të tij Bruno Rrotani, nëse ndikon negativisht për të një gjë e tillë, atleti shkodran tha se mungesa e trajnerit është një mungesë e madhe, sidomos në gara kaq të rëndësishme.

Po ashtu, Burraj u shpreh se pengu i tij në Lojërat Mesdhetare të Algjerisë ishte humbja e medaljes për vetëm 00.10 të qindtat e kohës, ndërsa theksoi se në aktivitetin e rradhës atë që do zhvillohet në Mynih me datën 15-gusht, do tentojë thyerjen e rekordit përsëri.

“Kemi përreth një vit që stërvitemi me kushte jo shumë të mira, por edhe me shumë probleme për të përmirësuar rekordin tim. Natyrisht, i lumtur që në fund shpërblehet puna ime me një rezultat shumë të mirë.

Mungesa e trajnerit Bruno Rrotani? Natyrisht, mungesa e trajnerit është një mungesë e madhe për sportistin, sidomos në gara kaq të rëndësishme. Trajneri Rrotani luan një rol të rëndësishëm tek motivimi i sportistit edhe nga ana psikologjike.

Unë në këtë aktivitet dhashë maksimumin që kisha, në të cilën reflekton edhe koha që u vendosën dy rekorde, por në qoftë se do ishte diçka që më ka mbetur peng, ishte humbja e medaljes për vetëm 00.10 të qindtat e kohës.

Në bazë të rezultateve të mira që mora në Lojërat Mesdhetare të Algjerisë, unë do të marr pjesë në kampionatin europian, që do zhvillohet në Mynih me datën 15-gusht, ku sapo kemi filluar përgatitjet me trajnerin tim, Bruno Rrotani, për të patur një paraqitje sa më dinjitoze, por pse jo për të tentuar thyerjen e rekordit përsëri”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, atleti shkodran, Franko Burraj.
Maringlen ZHIVANI