Shkodra ka një numër të madh sportistësh e trajnerësh të cilët punojnë çdo ditë me shumë pasio për të bërë më të mirën në stërvitje e ndeshje. Një nga trajnerët i cili prej disa vitesh po spikat për punën e tij është edhe Fatmir Marku, trajneri i cili po punon tek shoqata “Akademia Djelmnia Shkodrane 2017”.
Ai përpos detyrës së trajnerit të ekipit U13 që sivjet fitoi kupën dhe shkoi deri në gjysmëfinale të kampionatit, kryen edhe detyrën e administratorit të Akademisë në fjalë teksa kohët e fundit ka udhëtuar disa herë drejt Italisë për të dërguar atje elementët më të spikatur të kësaj Akademie, për t’i provuar në ekipe të ndryshme të shtetit fqinj dhe gjërat duket se po shkojnë në mënyrën e duhur.
Fatmir Marku në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” ka rrëfyer të gjithë rrugëtimin e tij që nga karriera si futbollist dhe deri më tani duke shpjeguar edhe projektet për të ardhmen teksa bashkë me presidentin Benardin Kulla dhe stafin tjetër të Akademisë, premtojnë të bëjnë më të mirën për t’u krijuar mundësinë futbollistëve shkodranë të masin forcat në ekipet më të mira të Europës. Për më shumë, lexoni intervistën e dhënë prej tij për gazetën tonë:
– Fatmir, si ka lindur tek ju pasioni për t’u marrë me futboll?
Që i vogel e adhuroja futbollin edhe kjo më vinte krejt natyrshëm. Të afermit më etiketonin si një fëmijë me dhunti në futboll. Që i vogel përveçse luaja futboll me orë të tëra gjatë ditës, po ashtu ndiqja të gjitha ndeshjet e Ronaldo Fenomenit që më beri ta dua edhe me shumë futbollin.
– Kur e keni filluar atë?
Në moshen 8 vjeçare rregjistrohem në nje akademi futbollit ngaqe isha edhe më i miri i lagjes.Kam luajtur me ekipe të ndryshme moshash të Shkodrës deri në moshën 18 vjeç dhe më pas, për dy sezone kam luajtur me Veleçikun. Por në moshën 20 vjeçare pësova një dëmtim të ligamentit kruçiat dhe u detyrova ta ndërpres futbollin. Më pas, kur isha në Gjermani pata një eksperiencë të shkurtër në Tonistvorst.
– Dhe më pas zgjodhët të bënit trajnerin. Sa vite keni që drejtoni
Në drejtim jam që nga viti 2014 ku si fillim vazhdova si vullnetar në oratorin Don Orione Bardhaj. Më pas, mora licencën UEFA B të trajnerit dhe prej 7 vitesh punoj me ekipet e moshave, kryesisht të Akademisë “Djelmnia shkodrane’
– Çfarë është për ty “Djelmnia shkodrane”?
“Djelmnia Shkodrane” është Akademia që punon me objektiva të qarta promovimin e e talenteve të reja në akademitë më të mira europiane. Atë e kemi krijuar bashkë me presidentin Benardin Kulla para 5 vitesh, nisur edhe nga fakti se presidenti kishte lidhjet si menaxher në tregun italian ndërsa unë isha i orientuar drejt trainingut, ndërkohë që kryej edhe detyrën e administratorit të Akademisë.
– Jeni i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar punët deri tani?
Po ecim edhe më mire nga sa e kishim menduar në fillim. Kjo sepse ishte shumë e vështirë ta mendosh që një lojtar nga grupmoshat në Shkodër të kalonte me sukses provat dhe ta mbante një Akademi në Serinë A në Itali siç ndodhi me Gabriel Kullën apo edhe me Gjorgjino Zhujën. Kjo është një strategji e Akademisë tonë për të punuar mirë me elementin e tij në mënyrë që t’i promovojmë më pas në treguan italian dhe më gjerë.
– Cili është parimi juaj i punës?
Parimet e mia të punës por edhe të Akademisë ku unë punoj janë që t’i stimulojmë dhe inkurajojmë fëmijet të merren me sport. T’i lëme fëmijet të shprehen të lirë në gara. Të shmangim gjykimet për shokët e tyre dhe mos bëjnë krahasime me ta. Të ndihmojmë në edukimin e duhur sportiv, duke rrespektuar rregullat. Të bejmë të ndjejnë prezencën tonë në momente të vështira, t’i inkurajoj dhe të nxjerr në pah aspekte pozitive të tyre. Duke pasur një qëndrim pozitiv dhe duke mos e ngarkuar në lidhje me rezultatin sepse në sport, ashtu si në jetë nuk ka vetëm fitore, e rëndësishme është t’i inkurajojmë atë për të kërkuar rezultate edhe më të mira.
– Keni një model trajneri që dëshironi të ndiqni?
Në Shqipëri si model për t’u ndjekur kam profesor Armando Cungun, ndërsa jashtë është Guardiola.
– Së fundi, cili është synim juaj si trajner?
Synimi im është të shkoj sa më lart në profesinon e trainingut, por ndërkohë do provoj t’i ngjis shkallët një e nga një.
Intervistoi: Gjergj KOLA