Prej pak vitesh, Gilman Lika ka lënë pas një karrierë të suksesshme si futbollist, jo vetëm si ish-kapiten i Vllaznisë, por edhe si një titullar me peshë me Tiranën dhe me ekipe të tjera jashtë vendit, si në Turqi dhe Arabi Saudite, pa harruar këtu edhe ekipin e Kombëtares.
Ndërkohë që, tashmë ai ka nisur një mision të ri, atë të trajnerit. Lika ka marrë drejtimin e skuadrës së Vllaznia U-17, duke nisur nga fillimi i këtij muaji. Këtë detyrë, Gilman Lika do ta kryejë duke pasur përkrah kolegun e tij, Denis Zmijani.
Për trajnerin Lika dhe kolegun e tij Zmijani, përqëndrimi kryesor i punës së tyre do të jetë kryesisht nxjerrja e elementit cilësor që të furnizojë ekipin e parë që drejtohet nga trajneri Mirel Josa. Një gjë të tillë ai e konfirmon edhe në një intervistë për “Shkodra Sport”.
Në intervistën për “Shkodra Sport”, Lika u shpreh se është shumë i kënaqur dhe i lumtur për detyrën e re, ndërsa theksoi se ka besim të madh që ekipi i 17-vjeçarëve që drejtohet prej tij, do të arrijë qëllimet kryesore, të cilat janë përgatitja e sa më shumë elementeve për ekipin e parë të Vllaznisë.
“Jam i kënaqur që po punoj në shtëpinë time. E kam vlerësuar detyrën e re dhe i kam falënderuar drejtuesit për këtë detyrë që më kanë dhënë.
Një shenjë pendesë nga drejtuesit për largimin tuaj nga Vllaznia para pak vitesh, një largim që ishte me disa polemika? Të kaluarat janë harruar. Nuk merrem më me çfarë ka kaluar.
Mendoj se kam aftësi për këtë detyrë dhe e bëj me shumë pasion, gjë që është shumë e rëndësishme. I kam ndjekur vitin e kaluar ekipin e U-17, por ajo grupmoshë që doli kampion, ka kaluar tek U-19, por edhe grupi që kam për momentin, është grup i mirë dhe kam shumë besim tek ata.
Nxjerrja e elementëve cilësorë? Mendoj që ky duhet të jetë qëllimi kryesor që të përgatisim sa më shumë elementë për ekipin e parë dhe për këtë gjë kam gjetur edhe dakordësinë e presidentit Alban Xhaferi.
Kam dëshirë që ekipi im të luajë një futboll modern dhe të kenë një mentalitet fituesi. Kam dëshirë që të fitoj çdo ndeshje. Në fund, të shikojmë deri ku do arrijmë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznia U-17, Gilman Lika.
Maringlen ZHIVANI