Armir Osmani është një nga lojtarët e ekipit Vllaznia U21, teksa futbollisti vazhdon të shënojë sërish me kuqeblutë. Këtë gjë bëri edhe dje në ndeshjen ndaj Apolonisë, teksa ishte një nga protagonistët e takimit me golin e shënuar.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Osmani ka folur për synimet e tij për të ardhmen, apo edhe kampionatit në vazhdim, ku shprehet i lumtur për golat e shënuar deri më tani.

“Sigurisht që jam i lumtur, jam duke vlerësuar çdo minutë që më jepet në dispozicion dhe shpresoj që kështu të vazhdoj. E kam thënë edhe më përpara që do të lëviz hap pas hapi, për momentin jam tek Vllaznia U21 dhe detyra ime është që të jap më të mirën dhe të shënoj sa më shumë gola”,-thekson ai.

Osmani flet edhe për ekipin dhe objektivin titull që ka skuadra e 21-vjeçarëve, teksa shprehet se ekipi është në formë dhe synimi i tyre është që në fund të shpallen kampion.

“Ekipi është shumë në formë dhe këtë po e tregojnë edhe rezultatet. Tani ne po mundohemi të japim më të mirën dhe synimi është që të dalim kampion, kjo nuk diskutohet. Shpresojmë shumë që të shpallemi kampion, por ne duhet që të vlerësojmë çdo ndeshje në maksimum dhe të mos bëjmë ndonjë hap fals. Tani nuk i dihet futbolli është i paparashikueshem por ne po ia bëjmë hyzmetin, që ta arrijmë një gjë të tillë”,-thotë lojtari i Vllaznisë.

Shkodrani flet edhe për trajnerin Sibson, teksa shprehet se ndryshimi me të është i madh, por megjithatë ai shpalos edhe objektivat e tij personal, teksa thekson dëmtimet e kanë penalizuar jo pak herë.

“Fryma është shumë e mirë, po mirëkuptohemi me trajnerin anglez Sibson dhe na lejon të bëjmë lojën tonë gjithsecilit. Ndryshimi është i dukshëm, pasi trajneri Sibson është shumë optimist dhe ne na e bën më të lehtë të japim maksimumin tonë.

Gjithashtu, dua ta theksoj që dëmtimet i kam pasur të shpeshta, të cilat më kanë lënë gjatë jashtë fushe, por tani po mundohem të jap maksimumin, po shënoj dhe jam i lumtur. Synimi im është që të shënoj në çdo ndeshje dhe shpresoj që të ia dal”,-shprehet ai.

Në fund, Osmani e mbyll intervistën e tij me një dedikim. “Normal çdo gol që arrij të shënoj, shkon për familjen time, pasi janë suporti im më i madh”,-mbylli Armir Osmani.
Maringlen Zhivani