Mundësi shkodran Qamil Bajrami për të dytin vit me rradhë zë vendin e parë dhe meriton medaljen e artë në turneun ndërkombëtar”Adem Jashari” që zhvillohet në Kosovë çdo vit. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë kur ai ka sfiduar mundësit e tjerë pjesmarrës në peshën 74 kilogramë duke u shpallur më i miri. Në këtë edicion të sivjetëm të këtij turneu që u zhvillua në Prizren, kanë marrë pjesë përveç mundësve nga Shqipëria dhe Kosova, edhe të tjerë nga Bullgaria, Serbia, Maqedonia dhe Qiproja.

Paraqitja e Bajramit sigurisht që ka qenë e shkëlqyer dhe ky vend i parë për të, vjen pikërisht pak ditë përpara kampionatit kombëtar të mundjes që do të zhvillohet në Tiranë dhe ku ai pretendon të shpallet kampion i Shqipërisë. Por në turneun “Adem Jashari” kanë marrë pjesë edhe tre sportistë të tjerë të Vllaznisë të cilët madje kanë bërë një paraqitje shumë të mirë duke u futur në zonën e medaljeve.Kështu, mundësi Kristian Fiku është renditur i dyti në peshën e tij dhe ka marrë medaljen e argjendtë ndërsa Maldin Camaj dhe Dashnor Koka janë renditur të tretët duke zhvilluar ndeshje shumë të bukura ndaj kundërshtarëve të tyre bullgar dhe maqedonas. Sportistët e Vllaznisë janë shoqëruar në këtë aktivitet nga trajneri i tyre Nazmi Elezi që sigurisht që ka mbetur shumë i kënaqur me këtë paraqitje dhe tashmë vëmendja e tyre do të jetë e përqendruar tek kampionati kombëtar i të rriturve që do zhvillohet gjatë kësaj jave në Tiranë.

© shkodrasport.com