Prej pak ditësh tek Vllaznia ka nisur një erë e re. Kontrata e sponsorizimit e firmosur në mes Bashkisë Shkodër dhe biznesmenit Alban Xhaferi ka nisur të japë frutet e veta. Tek skuadra dhe i gjithë klubit duket një frymë ndryshe, më entuziaste dhe padyshim që diçka e tillë ka për të sjellë edhe rezultatet.

Xhaferi ka dalë shpesh në media gjatë këtyre ditëve, e bëri këtë gjë edhe dje para dhe pas ndeshjes me Kukësin, megjithatë nuk ka dhënë shumë detaje të asaj se çfarë ka ndër mend të bëjë me Vllazninë.

Por, sonte në “Sport Arena” radiokronisti i njohur Edmond Dibra ka “zbuluar” disa detaje të vogla të cilat të bëjnë të ndihesh optimist për ndryshime pozitive tek Vllaznia në të ardhmen.

“Sipas bisedave që kam patur me z. Xhaferi dhe me avokatin e tij, z. Dibra, marrëveshja e firmosur me Bashkinë Shkodër përfshin lënien dorë të lirë në përzgjedhjen e lojtarëve, stafit dhe drejtorit teknik. Pra, sponsorit të ri i është lënë dorë e lirë për ndërtimin e skuadrës.

Prandaj dhe në bashkëpunim me administratorin Suad Lici i cili është një ish- lojtar shumë i suksesshëm por i tillë tashmë edhe si biznesmen dhe bashkëpunimi i tij me Alban Xhaferin do të jetë një ogur i mirë për futbollin shkodran.
Jam i bindur se në sezonin e ri do të shohim ditë të mira për Vllazninë”.
www.shkodrasport.com