Ish mbrojtësi brazilian, Alberto Valentin, i cili në të shkuarën ka luajtur në Serinë A me ekipe si Siena e Udinese, ka nisur rrugëtimin si trajner, por në dy eksperiencat e fundit është shkarkuar vërtetë shpejt.

Shkarkimi nga puna për një trajner nuk është asnjëherë lajm i mirë, por ajo që “djeg” më shumë te Alberto, është se e kanë hequr nga puna menjëherë pas 90-minutëshit të parë në pankinë.

Në fillim te skuadra e Cuiabas dhe tani te Athletico Paranaense, 47-vjeçari është shkarkuar pas vetëm një jave në pankinë, duke mos arritur dot të korrigjojë veten.

Te Cuiaba arsyet e shkarkimit ishin jo sportive, pasi u përfol për një marrëdhënie ilegale mes Albertos dhe bashkëshortes së presidentit, gjë që u mohua me forcë nga vetë Alberto.

Ndërsa te Atletico Paranaense, humbja 0-4 ndaj Sao Paolos në javën e parë të kampionatit, duket se nuk është “përtypur” nga drejtuesit, që e kanë shkarkuar menjëherë, ndonëse Alberto kishte disa muaj që përgatiste skuadrën.