Tek Vllaznia duket se është futur një frymë e re sa i përket mbështetjes së elementit të ri. Në fakt për hir të së vërtetës, në vitet e kaluara, një gjë e tillë ka qenë krejtësisht nën zero.

Ndërkohë që, për këtë vit shembulli tipik është ai i Rejan Alivodës, i cili në ndeshjet e fundit, ka fituar besimin e trajnerit Mirel Josa për të qenë titullar nga minuta e parë. Tashmë, prej kohësh, trajneri Josa i ka besuar Alivodës vendin e titullarit, teksa mesfushori duhet thënë se ka bërë paraqitje fantastike që në sezonin e parë me ekipin e parë.

Me atë çfarë ka dhënë në fushën e lojës në aktivizimet e tij, 19-vjeçari shkodran ka marrë vlerësime pozitive qoftë nga ana e specialistëve të futbollit, qoftë edhe nga ana e trajnerit Mirel Josa. Kështu, duket se Vllaznia e ka fituar këtë futbollist, i cili me këtë ecuri kaq pozitive, po rritet nga ndeshja në ndeshje, duke fituar besimin e të gjithëve.

Rasti i Alivodës është një sinjal pozitiv dhe realisht, vëmendja ndaj brezit të ri dhe Akademisë Vllaznia, duhet të jetë më e madhe. Afrimi i këtyre të rinjve shkodran është edhe një aspekt financiar më tepër për arkat e klubit në rast shitjeje të tyre.

Megjithatë, ajo ç’ka është më e rëndësishmja për t’u thënë është se si gjithmonë, Shkodra vazhdon traditën e prodhimit të talenteve dhe një i tillë padyshim që po rezulton edhe mesfushori 19-vjeçar, Rejan Alivoda.
Maringlen ZHIVANI