Simon Simoni bëri transferimin historik për futbollin shqiptar. Portieri kaloi nga Dinamo e Kategorisë së Parë te Frankfurti i Bundesligës. Një kalim i madh ky i gardianit 18-vjeçar, i cili ka shumë punë përpara për të fituar besimin e trajnerit.

Menjëherë pas zyrtarizimit te Frankfurti, Simoni u nis drejt Dubait me pjesën tjetër të ekipit që po kryen fazën përgatitore. Por nga miqësoret që ka zhvilluar ky ekip gjerman deri tani, nuk ka debutuar ende portieri shqiptar.

Madje as në ditën e sotme, teksa Frankfurti luajti dy miqësore me Lech Poznan. E para u zhvillua në orën 10:00 me njërën pjesë të ekipit dhe e dytë në orën 12:00 me pjesën tjetër.

Në asnjë prej tyre nuk kishte hapësirë për Simonin. Në ndeshjen e parë u aktivizua portieri Trapp për 90 minuta, ndërsa në ndeshjen e dytë, u aktivizua portieri shqiptar Diant Ramaj.

Ky i fundit është larguar në pushimin mes pjesëve, teksa në minutën e 46 hyri në fushë gardiani Jens Grahl.