Vllaznia do të luajë të dielën me Tiranën në orën 13:00 në “Selman Stërmasi” dhe shtyerja me 24-orë e “Klasikes së Shqipërisë”, e cila ishte programuar për të shtunën fillimisht, ka ardhur si me porosi për stafin kuqeblu.

Fakti që tre prej futbollistëve titullarë si kapiteni Erdenis Gurishta, Esin Hakaj dhe Herald Marku ishin grumbulluar me Kombëtaren për miqësoren me Katarin, ia kishte vështirësuar shumë stërvitjen Josës, duke kushtëzuar provat për formacionin dhe strategjinë që do të ndiqet.

Si të mos mjaftonte fakti që kanë një nga futbollistët kryesorë të dëmtuar, siç është Liridon Latifi, Kombëtarja, përtej krenarisë, ishte shndërruar në një telash për Vllazninë.

Trajneri Reja pati nën urdhra tre titullarë të kuqebluve ndaj Katarit dhe kjo nuk e ka lejuar Josën as këtë herë të punojë me skuadër të plotë dhe të instalojë idetë e tij tek e gjithë skuadra. Gjithsesi, një bonus është fakti që “Klasikja e Shqipërisë” do të luhet të dielën.

Ndërkohë, kujtojmë këtu se, në fazën e parë, Vllaznia fitoi ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” me shifrat 1-2, teksa luajti për shumë minuta me 10-futbollistë pas daljes me të kuq të Herald Markut, ndërsa te bardheblutë ishte ndëshkuar me të kuq Realf Zhivanaj.

Në fakt, duke qenë se pati një ndërrim të kalendarit të kësaj jave, më saktë një shkëmbim të fushave mes klubeve, pasi në stadiumin “Loro Boriçi” ka nisur mbjellja e barit, tashmë për kuqeblutë ndeshja në “Selman Stërmasi”, shihet si në një impiant fati.
Maringlen ZHIVANI