Vllaznia do të kërkojë që të vazh dojë deri në fund të sezonit të tregojë seriozitet në çdo takim. Një gjë të tillë e thekson edhe vetë tekniku i kuqebluve, Agim Canaj.

Sipas tij, gërshetimi që do t’i bëjë skuadrës nuk do ta pengojë atë që të kërkojë maksimumin në javët e mbetura. Shkodranët e siguruan edhe matematikisht biletën për në Superiore që në sfidën e javës së kaluar në Shijak.

“U kemi dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen që do të luajmë nesër(sot) ndaj Korabit. Me të vërtetë që ne po shikojmë që të kenë më shumë hapësira disa nga lojtarët që kanë pasur më pak minuta në këmbët e tyre në këtë sezon, por kjo nuk do të zbehë aspak objektivin që kemi për të vazhduar ecurinë pozitive në rezultate.

Këto ndeshje, deri tek e fundit që është finalja për titullin kampion të Kategorisë së Parë, do të kenë të njëjtin vlerësim nga ana jonë. Megjithatë, të jem i sinqertë, vëmendja ime do të jetë më shumë tek ata lojtarë që do të jenë për të ardhmen”, u shpreh fillimisht tekniku gjatë konferencës së djeshme për shtyp.

SKUADRA Tekniku Canaj e ka theksuar gjatë fjalës së tij faktin se gjatë këtyre javëve do të ketë lëvizje në formacion. Por, me sa duket, ato mund të mos jenë të shumta.

“Nuk do të jenë të gjithë lojtarë që nuk kanë luajtur apo që të qëndrojnë në stol të gjithë futbollistë që janë aktivizuar. Formacioni do të krijohet me rrotacion gjatë këtyre javëve dhe do të ketë një gërshetim të ekipit. Kjo do të jetë sipas pozicioneve që do të luajnë në fushën e lojës. Ne deri në fund nuk do ta ulim tempin tonë”, vijoj ai.

E ARDHMJA Tekniku i Vllaznisë, Agim Canaj, në fund të fjalës së tij ka folur edhe për të ardhmen te shkodranët. Sipas tij, gjithçka do të vendoset vetëm pas përfundimit të sezonit. Por, ai e ka të qartë shumë mirë se puna për sezonin e ri është shumë e madhe.

“Me drejtuesit e kemi lënë që të diskutojmë gjithçka mbi të ardhmen në fund të këtij sezoni. Kur erdha te Vllaznia, nuk kisha asnjë kërkesë për drejtuesit e klubit. Por, siç e kam thënë, kam ardhur pa asnjë mëdyshje që do të jem pjesë e këtij klubi dhe këtij emri.

Ne do të diskutojmë në fund të sezonit, pasi është një punë e madhe që na pret. Kalimi në Superiore është një përgjegjësi më shumë për të gjithë dhe të kërkohet që të jemi kompetitivë pas një periudhe të gjatë që kjo skuadër lëngon.

Na duhet një punë e madhe të në të gjitha drejtimet. Nuk është një trajner apo një staf, por është një punë e të gjitha hallkave të një klubi”, përfundoi tekniku i Vllaznisë, Agim Canaj.