Ndonëse duhen edhe gati dy muaj për të përfunduar ky sezon, në mënyrë disi të pakuptimtë ka nisur të diskutohet në media e ardhmja e trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu. Pas ndeshjes së fundit me Tiranën ai ka thënë se “kam edhe dy muaj kontratë me klubin shkodran dhe kur të përfundojë ajo, pastaj do të filloj të mendoj për të ardhmen. Deri atëherë, jam i fokusuar maksimalisht tek Vllaznia”. Por çuditërisht sot në një nga të përditshmet sportive shkruhej se numri 1 aktualisht i pankinës shkodrane e ka bërë gati “divorcin” me kuqeblutë dhe madje e ardhmja e tij është postit të trajnerit tek Partizani ngaqë në verë Starova mendohet të largohet nga kjo detyrë. Aludime të tillë sigurisht që e kanë shqetësuar Cungu që për “SHKODRA SPORT” do të shprehej: “Më vjen jashtëzakonisht keq që shkruhen gjëra të tilla. Unë gjithmonë kam qenë i hapur në ato çfarë kam thënë se nuk ka pse të aludohet për gjëra të tilla. As nuk kam deklaruar se do të largohem përfundimisht nga Vllaznia në fund të këtij sezoni dhe as nuk më ka kontaktuar askush nga Partizani. Po punoj me përkushtimin maksimal për skuadrën time të zemrës për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë të këtij sezoni, periudhë dhe kur më mbaron kontrata, e më pas do të mendoj se çfarë do të bëj për të ardhmen. Nuk ka pse të ketë aludime. Më duket se dikush është i interesuar për të prishur ekuilibrat tek Vllaznia dhe tek Partizani dhe nxjerrin gjëra të tilla të pavërteta. Nuk është aspak normale”. Në fakt, ai ka të vërtetë. Kuqeblutë me fitoren e fundit ndaj Tiranës duken më të qetë në renditje por nuk kanë siguruar akoma asgjë dhe për këtë arsye, nuk do kishte asnjëlloj logjike nëse trajneri do të fillonte të mendonte për të ardhmen e tij. Për më tepër që janarin e një viti më parë kur Cungu u prezantua tek Vllaznia, deklaroi se kishte ardhur tek kjo skuadër për një projekt- afatgjatë. Dhe një projekt i tillë s’mund të mbarojë me 18 muaj në fakt!!!
© shkodrasport.com