Vllaznia e volejbollit për meshkuj mori një fitore me përmbysje ndaj Studentit 3-1 në parketin e “Qazim Dervishit”. Kështu, pas kësaj fitoreje, trajneri i ekipit shkodran Artan Kalaja u shpreh i kënaqur me performancën e skuadrës, e cila nga ndeshja në ndeshje po shënon rritje.

Në fakt, sipas tij, Vllaznia e këtij sezoni është shumë e mirë se ajo e vitit të kaluar. Me këtë rritje, tekniku shkodran pretendon se skuadra që ai drejton, do të jetë mes skuadrave më të mira që luftojnë për trofe.

Trajneri Kalaja u shpreh se Vllaznia e volejbollit të meshkujve e ka realizuar objektivin e saj tashmë për momentin, duke qenë se janë në vendin e katërt, ndërsa theksoi se ekipi që ai drejton, ka akoma nevojë për të riparuar disa gabime.

“Ne lëshuam lojën faktikisht në setin e fundit, por shyqyr kishim dy pushime për të marrë dhe ato e qetësuan skuadrën dhe vepruan më me qartësi. Çunat për mua luajtën mirë, pavarësisht segmenteve të veçanta që ne nuk duhet të neglizhojmë. Skuadra e Studentit kishte në përbërje volejbollistë shumë të mirë për mendimin tim, por ne ishim më të stërvitur dhe fituam.

Kjo është fitorja e katërt dhe ne e kemi realizuar objektivin tonë për momentin, që jemi në vendin e katërt. Kështu që, tashmë fillojnë ndeshjet e Kupës. Kemi objektivin përsëri për t’u futur në katër më të mirat. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Ne jemi më mirë se vjet në fazën e parë, sepse patëm problemet e organizimit. Sivjet, jemi më të stërvitur dhe normalisht e kemi arritur objektivin që në fazën e parë, sepse vjet nuk e arritëm në fazën e parë. E arritëm në fazën e dytë. Unë mendoj se çunat janë duke u stërvitur maksimalisht, por kemi nevojë akoma për të riparuar disa gabime. E rëndësishme për mua është se jo gjashtë volejbollistë, por e gjithë skuadra është e gatshme për t’u stërvitur. E rëndësishme është që ne i kemi kuptuar gabimet tona. Jemi duke i riparuar dhe shpresoj të vazhdojmë edhe më mirë.

Buxhetet e ekipeve të tjera janë sa gjashtëfishi dhe pesëfishi i ekipit tonë. Kështu që, unë mendoj se në qoftë se, do të shtohet pak, ne do të kemi mundësi edhe më tepër. Megjithatë, për atë kontratë që ajo ka lidhur me ne, ajo është shumë e gatshme.

Unë dua të falënderoj Bashkinë Shkodër dhe gjithë punonjësit e saj, sepse na kanë ndenjur gati, duke filluar nga inspektorët, nga Zyra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kryetari i Bashkisë, Bardh Spahia. Unë mendoj se do të gjejmë mbështetje tek Bashkia, sepse shoh gatishmërinë e tyre në të gjitha drejtimet dhe mendoj se do të gjejmë mirëkuptim me Bashkinë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë së volejbollit të meshkujve, Artan Kalaja.
Maringlen ZHIVANI