Vllaznia e volejbollit të femrave ka marrë sot fitoren e katërt në kampionat, duke mundur 3-1 Barletin. Megjithatë, trajneri Besnik Lisha nuk duket se është shumë i kënaqur akoma me skuadrën e tij, sepse pritshmëritë për të janë më të mëdha.

Pas ndeshjes, në një intervistë për mediat, ai shpjegoi se kjo skuadër do akoma edhe pak kohë për t’u pjekur maksimalisht. Lisha u shpreh se vajzat që janë aktualisht në ekip nuk janë mësuar me situata të vështira loje, por theksoi se mendon se në të ardhmen ky ekip do të ketë një ecuri pozitive.

“Kjo fitore ndaj Barletit ditën e sotme na duhej. Realisht, në disa momente të lojës, vajzat ishin shumë të emocionuara dhe të tensionuara. Unë mendoj se kjo skuadër do pak kohë akoma për t’u pjekur, për arsye sepse kemi shumë vajza që nuk janë mësuar me situata të vështira loje.

Ato kanë luajtur volejboll faktikisht, por gradualisht unë mendoj që ne do bëhemi më mirë. Unë besoj se do marrim edhe ndonjë volejbolliste tjetër për t’i ndihmuar këto vajza, sepse kemi nevojë për volejbolliste. Eshtë shumë e vështirë situata ku ndodhemi për momentin.

Kemi shumë nevojë për volejbolliste të tjera që të jenë lojtare bazë të ekipit që t’i zgjidhin situatat e vështira që ka skuadra. Kur kemi situata të vështira, e kemi shumë të vështirë për të dalë prej situate prej papjekurisë dhe prej emocioneve e stresit të lojës.

Ekipet tjera na kanë mundur me meritë. Tani për tani, janë më të mira se se ne, por mendoj se kemi për të ardhur shumë shpejt aty ku duhet. Deri nga dhjetori besoj se kemi për të ardhur shumë shpejt dhe për të konkurruar si duhet. Janë disa kupa dhe është edhe play-off.

Ne luftojmë për kampionat në mënyrë absolute. Unë nuk e kam deklaruar asnjëherë se do fitojmë titullin kampion, por absolutisht ne do të luftojmë për kampionat deri në fund. Bazën e kemi shumë të mirë. Poashtu, duam të marrim edhe një volejbolliste tjetër që ka për ta ndihmuar shumë skuadrën”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Besnik Lisha.
Maringlen ZHIVANI