Klubi i Tërbunit ka reaguar për vendimin e Komisionit të Disiplinës, teksa dy ditë më parë organi i drejtësisë sportive në vend pezulloi me nga dy ndeshje Migel Metanin dhe Fatjon Markun.

Pukianët kanë treguar se çfarë ka ndodhur në stadiumin e Peqinit duke mos u pajtuar me atë që ka vendosur Disiplina. Të dy lojtarët janë ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen kundër Shkumbinit përfunduar me rezultatin 0-0.

“Komisioni i disiplinës në Federata Shqiptare e Futbollit dënon me nga katër ndeshje dy lojtarët e ekipit tonë, kapitenin Migel Metani dhe mesfushorin Fatjon Marku për sjellje antisportive ndaj arbitrave!

Por të dy lojtarët thjesht i kanë kërkuar shpjegime arbitrit ansor për atë pozicion jasht loje të dhënë pa asnjë lloj shpjegimi dhe në fund marrin dënim me katër ndeshje! Thjesht të dashur tifozë po e shikoni vete sesi ekipi ynë trajtohet dhe është trajtuar gjatë gjithë këtyre sezoneve nga persona të papërgjegjshëm në federatë!

Lojtari i FK Tërbuni, Fatjon Marku, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FK Tërbuni, Migen Metani, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, shkruhej në faqen zyrtare të Tërbunit./newsport/