Java e 25-të e Kategorisë Superiore ka vënë përballë Vllaznisë ekipin e Kastriotit në ndeshjen që do të luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin e Kamzës. Për këtë përballje, stafi teknik i kuqebluve duhet të bëjë pa tre futbollistë të rëndësishëm.

Dy prej tyre, pikërisht mesfushorët Arsid Krymi dhe Fjoart Jonuzi kanë plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë dhe si rrjedhojë janë të pezulluar për këtë takim. I treti, braziliani Victor Da Silva, vazhdon të jetë i dëmtuar dhe për rrjedhojë nuk do të luajë as në këtë ndeshje.

Në këto rrethana, trajnerit Brdariç do t’i duhet të ndryshojë tërësisht qendrën e mesit të fushë. Pozitiv është rikthimi i Herald Markut ndonëse në gjendjen e tij jo më të mirë fizike, ndërkohë që mbetet për t’u parë se kush do të jetë tjetër që do të luajë në këtë repart nga minuta e parë ndaj Kastriotit.

Vllaznia vërtetë e lëshoi vendin e parë të renditjes javën që shkoi, por objektivi i saj padyshim që do të jetë sërish rikthimi aty. Drejtuesit dhe të gjithë pjestarët e saj e kanë të qartë se do të synohet deri në fund për të mbetur të paktën pa një vend që do t’i çonte në Kupat e Europës.

Ndonëse këtë mundësi e kanë edhe nga Kupa e Shqipërisë, Vllaznia në fakt do ta tentojë edhe nga kampionati dhe për këtë arsye do të kërkojë të fitojë të dielën ndaj Kastriotit sepse vetëm kështu mund t’ia dalin.

Ndaj kësaj skuadre nuk do të jetë aspak e lehtë, megjithatë edhe në fazën e parë kuqeblutë kanë treguar se mund t’ia dalin dhe këtë gjë do të tentojnë edhe këtë herë.