Barcelona e Çavi Hernandez paralajmëron se e ardhmja do të jetë shumë më e vështirë për Real Madrid. Katalanasit kanë mundur me shifrat 4-0 Realin në “Santiago Bernabeu”, duke i dhënë një leksion të mirëfilltë futbolli në një ndeshje të dominuar që nga fillimi i saj.

Pritej një ndeshje e luftuar dhe në fillim ishte Reali që krijoi disa raste, por pastaj mori gjithçka nën kontroll Barcelona, e cila gjeti golin e parë me një gjuajtje me kokë të Aubamejang, pas asistit të Dembele. Ishte përsëri francezi ai i cili harkoi në zonë për golin e dytë nga Arauho pas një goditje nga këndi, duke dyfishuar shifrat e lënë të shtangut vendasit.

Pa filluar mirë pjesa e dytë, erdhi edhe goli i tretë, me Torres i cili tundi rrjetën pas asistit të Aubamejang. Spanjolli i theu borxhin shokut të skuadrës pak minuta më vonë, duke çuar rezultatin në 4-0.

Vetëm ndërhyrjet e Kurtua evituan një goleadë më të thellë për skuadrën e Ançelotit e cila kapitulloi pa kushte dhe pësoi humbjen më të thellë të kampionatit, që për fatin e mirë të tyre, nuk do të ndikojë në luftën për titull ku Reali mbetet i shkëputur në kryesim.

Real Madrid-Barcelona 0-4

29′, 52′ Aubamejang, 39′ Arauho, 47′ Ferran Torres