Pasditen e nesërme në sallën sportive “Fahrije Hoti” të kryeqytetit do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, ajo në mes Tiranës vendase dhe Vllaznisë.

Kjo e fundit ka luajtur katër ndeshje deri më tani dhe i ka fituar të gjitha, prandaj dhe do të synojë edhe të pestën rradhazi. Në kampin shkodran ekziston besimi për këtë gjë dhe kjo shfaqet edhe në fjalët e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të tij, liberos Renato Kola.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai do të shprehej: “Sigurisht që edhe ndaj Tiranës do të kemi objektiv vetëm fitoren. Jemi të vendosur për këtë gjë dhe jo vetëm për këtë ndeshje, por në secilën që do të luajmë deri në fund.

Një besim që vjen nga grupi që kemi, nga motivimi me të cilin luajmë dhe ndaj nesh nuk ka presione të panevojshme. I kemi të gjitha mundësitë, kohën, moshën dhe pjekurinë sportive për të qenë aty ku jemi sot.

E kam thënë edhe më përpara kur u shpallëm kampion, se Vllaznia me këtë grup që ka, minimumi tre vite rresht shpallet kampion.
© shkodrasport.com