Kushdo që ka pak dijeni për sportin e basketbollit në Shqipëri, nuk ka sesi të mos e ketë të qartë se kush është Renato Radoja. Vlerësimet për të janë bërë, titujt janë të shumtë, karriera e tij nuk ka vend për koment. Të gjitha këto janë shkruar, thënë e stërthënë. Por mjeshtri i koshit ka edhe një jetë tjetër, atë “gri”, plot me vuajtje dhe ndëshkime. “Kleçka” në biografi, apo dhe arsye të tjera, e kanë shoqëruar gjithnjë duke e bërë të vuajë jo pak. Për rrjedhojë në rrëfimin e mëposhtëm të këtij personazhi shumë të njohur, do zbulojmë anën e panjohur. Atë të vuajtjeve të këtij njeriu që sportin e ka patur bashkëudhëtar të mirë gjatë gjithë jetës së tij. Po cilat janë momentet ku ai është ndjerë keq dhe ka marrë goditjet që e kanë bërë të vuajë jo pak?
Goditja e parë- Viti 1958
Gjatë jetës së tij sportive, mjeshtri i njohur i basketbollit, ka patur jo vetëm momente të gëzueshme por edhe ato të tjerat, të hidhërueshmet. Nuk e kemi fjalën për ato që vinin nga fusha e lojës apo stërvitja porn ë rrethana të tjera që kishin të bënin me jetën e tij. goditjen e parë e ka marrë në moshën 18 vjeçare. Radoja e kujton çdo gjë me shumë kujdes dhe madje të thotë edhe detaje të këtyre momente. Për t’ia filluar nga momenti i parë kur ka marrë edhe tronditjen e parë. “Pasi mbarova Teknikumin e Fiskulturës në vitin 1958, më del emërimi në Shkodër. Deri në atë kohë luaja në pesëshen e parë të ekipit të basketbollit të 17 Nëntorit dhe njëkohësisht isha edhe atlet i kategorisë së parë. U paraqita në seksionin e arsimit në Shkodër për të filluar punë dhe përgjigja që mora ishte shumë zhgënjyese: Je i transferuar në Kukës për të dhënë mësim atje! Nuk u besoja syve. Isha një basketollist titullar tashmë dhe kisha filluar të bëja emër, isha atlet me të dhëna të mira por asnjëra nga këto, nuk vlente. Më thanë se Shkodra nuk kishte nevojë për sportistë. Ngula këmbë duke kërkuar qoftë edhe një vend si mësues në fshatra por asgjë. Sipas rregullit të kohës, u paraqita në punë në Kukës. Edhe atje u thashë se isha sportist por kur nuk bëra vend në Shkodër, si të bëja atje ku nuk kishte fare ekip basketbolli a atletike. Sikur të mos mjaftonte me kaq, më transferuan në Bicaj, një fshat shumë larg qytetit. Kjo ka qenë goditja e parë që kam marrë në jetën time. Mu mohua vazhdimi i sportit pikërisht nga qyteti jem, Shkodra”-shpjegon emblema e basketbollit shkodran.
…Pas këtij momenti në fakt gjërat morën rrjedhë tjetër për fat të tij dhe këtë ia dedikon një njeriu të veçantë: Lame Konomit, këtij kuadri të mirënjohur të sportit tonë. Radoja e shpjegon qartë atë çfarë ndodhi më pas duke thënë: “Qëndrova dy javë në Kukës dhe më pas më dhanë 10 ditë leje për të ardhur në Shkodër për të marrë rrobat dhe për të shkuar në Bicaj për të filluar punë. Ndjehesha i dërrmuar nga kjo histori. Por për fat të mirë, kryetari i Komitetit të Fiskulturës në Tiranë, z. Lame Konomi, në njeri i mrekullueshëm, të cilit i dedikoj shumë gjëra për karrierën time. Po të mos ishte ai, kushedi ku do kisha përfunduar unë. Bashkë me Feti Borovën, më rregjisruan në Institutin dyvjeçar të Fiskulturës që u hap në Tiranë në shtator të vitit 1958. u ktheva në kryeqytet dhe vazhdova të luaj me Tiranën në pesëshen e parë (në Shkodër nuk kishte vend për mua!) dhe isha edhe pjesë e kombëtares duke marrë pjesë në Turneun e Rinisë dhe vendeve Mesdhetare që u zhvillua në Bukuresht dhe në Kampionatin Ballkanik në Sofje më 1960.
-Goditja e dytë- Viti 1961
Në vitin 1960, Radoja do përfundonte Insitutin e Fiskulturës por nga zhgënjimi id y viteve më parë me Shkodrën, vendos të mos kthehet aty. Për këtë arsye, nuk jep provimet e fundit të vitit dhe për rrjedhojë shtyn shkollën edhe me një vit tjetër. Gjatë kësaj periudhe bëra edhe pasaportizimin në Tiranë dhe vazhdon të luajë me 17 Nëntorin dhe kombëtaren. Por në Shkodër njerëzit e sportit e donin prandaj ai doo kthehej. “Emërimi për punë më 1961 më doli në Shkodër por unë nuk doja të kthehesha. Doja të qëndroja në Tiranë. Gazetari shkodran Rifat Uruçi kishte angazhuar shumë njerëz të sportit por edhe të pushtetit në Shkodër, për të më kthyer në Shkodër që të jepja kontributin tim për Vllazninë. Çështja shkoi deri tek Ministri i Arsimit të asaj kohe, Manush Myftiu që urdhëroi kthimin tim në Shkodër. Për këtë arsye mu hoq edhe pasaportizimi nga Tirana dhe më detyruan të vij në Shkodër. Kuptohet që u ndjeva keq sërish. Jo se nuk e doja qytetin tim por i kisha mbajtur mëri për mënyrën me të cilin drejtuesit e saj ishin sjellë me mua tre vjet më parë”- thotë profesor Renatoja.
…Kthimi këtë herë në fakt ishte tjetër gjë për të si sportist. Ai kishte marrë famë kudo në Shqipëri dhe nuk kishte si të mos binte në sy edhe në qytetin e tij që e kishte refuzuar pak vjet më parë. “Kthimi im pati jehonë këtë herë, u prita mirë nga sportdashësit dhe drejtuesit e sportit por pas 6 muaj do detyrohesha të ikja sërish sepse më morën në shërbimin ushtarak”-shpjegon 71 vjeçari aktual.
Goditja e tretë- Viti 1966
Ka shkuar ushtar më 28 dhjetor 1961 dhe destinacioni i tij ishte për në Pashë Aliman, në rolin e marinarit, detyrë që në fakt nuk e ka bërë për asnjë ditë sepse në Vorë e kanë ulur nga kamionë dhe e kanë drejtuar për në Tiranë, aty ku do bëhej pjesë e ekipit të Partizanit. Radoja në pranverën e vitit 1964, duke luajtur basketboll në mëngjes me Petrit Dumen e të tjerë, i kërkon zyrtarit të lartë lirimim nga ushtria para kohe meqë prindërit e tij ishin në një moshë të madhe dhe të vetëm në shtëpi. Dume ia miraton këtë kërkesë por me një kusht: të luajë vetëm për Partizanin. “Dëshira ime ishte të qëndroja tek ky klub. Kisha të gjitha kushtet atje, madje mund t’u duket e çuditshme por kisha edhe guzhinier personal. Por debate mes Petrit Dumes që donte të më mbante në Tiranë dhe Sul Bahollit, Sekretarit të Parë të Partisë në Shkodër, bëri që ky i fundit të fitonte “duelin” sepse rregullat ishin të qarta dhe më duhej të kthehesha në qytetin tem. Në Shkodër sërish pata probleme sepse edhe për 6 muaj të tjerë më lane pa punë. Përpos kësaj, kushtet për stërvitje nuk ishin aspak të mira. Ne sportistët, kërkonim ujë të nxehtë për t’u la pas stërvitjesh dhe vetëm për këtë kërkesë sekretari i Komitetit Ekzekutiv filloi të na etiketonte si borgjezë!!! Pas shumë përpjekjesh fillova punë tek shkolla “7 Nëntori”, më pas tek “Jordan Misja” dhe më vonë sëbashku me Artenca Tufin u rikthyem tek shkolla “7 Nëntori” duke krijuar klasat sportive në basketboll, vetëm me përpjekjet tona pa asnjë shpërblim. Por çfarë është më e çuditshmja, pas një viti, më larguan përsëri nga puna. Njerëzit që më zëvendësonin kishin miq shumë të fortë, kishin lidhje partiake kur unë isha nip ii një “armiku të Popullit”. E kuptoja këtë gjë dhe heshtja. S’ kisha rrugë tjetër”- thotë ende me shumë vrer për ata që i kanë bërë keq, mjeshtri Radoja.
-Goditja e katërt- Viti 1967
Pavarësisht klasit të lartë që zotëronte si sportist, me të cilin “u mbyllte gojën” të gjithë kundështareve të tij, ka patur edhe ndonjë moment kur nuk ka arritur t’i mundë ata. Ka ndodhur kështu para Kampionatit Europian të vitit 1967. Radoja e shpjegon kështu atë moment. “Isha përgatitur për të dhënë më të mirën time në atë kampionat europian që do të zhvillohej në Budapest por dy ditë para se të niseshim, më lajërojnë që nuk do isha pjesë e ekipit kombëtar në këtë veprimtari shumë të rëndësishme. U mundova të marr vesh arsyen por ishte e pamundur të kërkoja të drejtën time. “Kështu ka mendu Partia”-më përgjigjeshin. Unë nuk mund të bëja zë. “Kleçka” në biografinë time më ndiqte nga pas, ndonëse herë fshihej dhe herë nxirrte krye”-thotë mjeshtri i koshit.
Goditja e pestë- Viti 1970
Pavarësisht problemeve me punën dhe trajtimin, si sportist Radoja ishte i padiskutueshëm. Sëbashku me shokët e tjerë të ekipit i japin Vllaznisë tre kupa të Republikës në vitet 1965, 1966 dhe 1967 si dhe titullin kampion më 1966. është vlerësuar basketbollisti më i mirë i Ballkaniadës që u zhvillua në Tiranë në vitin 1965 dhe gjitha meritat i kishte marrë për këtë. Por karriera e tij e shkëlqyer do merrte një goditje të rëndë në vitin 1970. në moshën 30 vjeçare, e detyrojnë të lërë sportin dhe kjo ka qenë e dhimbshme për të. “Isha në formë të mirë sportive, 30 vjeç dhe mendoja se kisha ende shumë forca për t’i dhënë basketbollit. Por në krye të ekipit vijnë trajnerë që ishin beniaminë të njerëzve të pushtetit të asaj kohe që vepronin sipas qejfit të tyre dhe për rrjedhojë, ata ma imponuan me mënyra të ndryshme lënien e sportit. Ka qenë goditja më e madhe që më është dhënë për të lënë sportin para kohe sepse kisha mundësi t’i jepja prapë atij”- thotë Radoja duke e kujtuar me jo pak keqardhje atë moment të para 41 viteve.
-Goditja e gjashtë- Viti 1981
Pasi lë sportin, nis punën e trajnerit. Në vitin 1971 merr drejtimin e ekipit të të rinjve të Vllaznisë që e drejton për pesë vjet me rradhë duke nxjerrë shumë elementë cilësorë për ekipin e parë. Në vitin 1975 i besohet ekipi i parë dhe me një shkëputje për arsye shëndetësore, vazhdon të punojë me të deri në vitin 1981. Këtë vit, Vllaznia nën drejtimin e tij fiton Kupën e Shqipërisë dhe shpërblimi që merr Radoja është… largimi nga detyra. Ai e kujton kështu atë moment: “Prisja që dikush të më falenderonte për suksesin por ndodhi e kundërta. Si shpërblim i punës së mirë që bëra, më largojnë sërish nga sporti duke ia dhënë ekipin një trajneri tjetër, kurse mua më çojnë mësues në… shkollën e ulët të ndërtimit!!! Largimi nga një komunitet që i dhasë shumë, qe një goditje shumë e rëndë për mua.
Goditja e shtatë- Viti 2008
Renato Radoja rikthehet të bëjë punën e trajnerit në vitin 1986 teksa i besohet ekipi i të rejave të Vllaznisë që e drejton deri në vitin 1992, më pas merr të rriturat vetëm për një vit dhe këtu heq dorë sepse basketbollin e femrave duan ta shkrijnë drejtuesit e klubit. Në vitin 1994 del në pension në shkollën “Pashko Vasa” por për arsye ekonomike, bën punën e shoferit për 1 vit e gjysëm dhe më pas atë të teknikut të kasetofonave dhe magnetofonave. E çuditshme por ikona e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar, nuk kishte mundur ta siguronte jetën e tij me sport. Pasioni për basketbollin bën që ai të rikthehet pranë tij sërish në vitin 2000. Krijon një ekip fëmijësh dhe punon për disa vjet me ta duke i çuar më pas deri tek ekipi i të rriturave por në vitin 2008, i mohohet nga drejtuesit e klubit Vllaznia, drejtimi i ekipit të të rriturave. I vajzave që ai kishte stërvitur për vite me rradhë. “Mohimi i vendit të punës për mua nga drejtuesit e klubit Vllaznia, më ka goditur keq. Nëse do zëvendësohesha nga njerëz profesionistë, sigurisht që nuk do kisha gojë për të folur. Por kur preferohen njerëz me miq e me mbështetje partiake, kjo është shumë e rëndë. Sepse në fund të fundit, nuk fiton basketbolli kështu”-thotë Radoja. Ai ka vazhduar për dy vjet drejtimin e ekipit të të rejave të klubit privat “Shkodra Basket” me të cilin luan rreth 40 ndeshje dhe humbet vetëm një, fiton dy tituj kampionë, të gjitha trofetë e Federatës gjatë këtyre viteve me ekipet e moshave, dy turne në Hercegnovi të Malit të Zi etj. Sot është 71 vjeç dhe është “në formë”. Vazhdon të stërvisë disa fëmijë, jep mësim në një shkollë private dhe Renato Radoja sërish jep kontributin e tij. sepse ai ka lindur për të dhënë kontribut dhe për të marrë shumë pak prej kësaj jete.
“Biografia e keq”, ajo që nuk iu nda nga pas
“Axha jem, ish-futbollisti i Vllaznisë në vitet ’30 Luigj Radoja, u pat shpallë “Armik i Popullit” në vitin 1945 nga Partia teksa bante punën e mjekut në Leskovik. U pat denu me 15 vjet burg dhe vdiq po në burg pa arrit me pa dritën e diellit”-shpjegon Renatoja, nipi i tij. Biografia e keqe në këtë mënyrë pat ndiku jo pak në karrierën e tij sportive, sidomos në mënyrën si e trajtonin drejtuesit sepse në fushën e lojës askush nuk kishte çfarë t’i bënte.
Lista e ekipit, në “sitën” e Komitetit të Partisë
Gjatë viteve që ka qenë trajner me ekipet e Vllaznisë, një nga gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje Renato Radojës ka qenë kalimi i listës së federimit të ekipit në “sitën” e atyre që nuk kishin lidhje me sportin. Ai e kujton si një fenomen shumë negativ këtë, aq sa edhe trajnerët viheshin në një siklet të madh për pasojat që kishte kjo gjë. Radoja e shpjegon bukur atë çfarë ndodhte të paktën në Shkodër, në “qytetin reaksionar” që ishte i mbushur me “armiq të Partisë” dhe që duheshin eliminuar nga sporti. “Mua më ka ndodhur dhe besoj se jo vetëm mua, që para se të merrnim pjesë në kampionat me ekipet tona, neve si trajner na kërkohej lista e federimit të ekipit për t’u çuar fillimisht në Komitetin Ekzekutiv dhe më pas në Komitetin e Partisë. Drejtuesit e këtij të fundit kalonin në “sitë” çdo emër që ishte në ato lista dhe kuptohet ata të padëshirueshmit, i binin vizë. Kjo sillte jo pak probleme për ne trajnerët sepse ishte e vështirë t’ua thonim sportistëve madje kam patur raste që më ka ndodhur me sportistët e mi dhe kam qenë i pafuqishëm për të reaguar. Ka qenë vërtetë absurde një gjë e tillë porn ë Shkodër ka qenë realitet” –thotë ai.
Radoja: Pse duhet të shpërblehem kështu nga Shkodra ime?
Mosdhënia e të drejtës për të drejtuar ekipin e basketbollit të të rriturave të Vllaznisë dy vjet më parë, sigurisht që ka lënë një shije shumë të hidhur tek Radoja. Ai nuk ua fal këtë gjë drejtuesve të klubit Vllaznia, por edhe të Bashkisë Shkodër. “Kam sakrifikuar jo pak në jetën time për këtë klub dhe këtë qytet. Rrëfimi im i mësipërm e tregon më së miri këtë. Por ajo çfarë vërej unë është se ndaj meje vazhdojnë të tregojnë jo shumë respect. Nuk ia kam idenë pse Shkodra, qyteti je mi dashtun, duhet të ma shpërblejë kështu. Nuk e di pse më largojnë nga puna e trajnerit për të më zëvendësuar me njerëz jo profesionistë. Nëse në pohën e Partisë, nuk mund ta kundërshtoja këtë gjë kur më zëvendësonin me njerëz që kishin mbështetje partiake, e njëjta gjë konstatoj se bëhet edhe tani. Trajnerë e drejtues janë njerëz që kanë miq dhe mbështetje partiake. Prandaj dhe niveli i basketbollit po them unë është këtu ku është. Vllaznia sot me ekipin e femrave luan të njëjtën mënyrë loje sin ë vitin 1960 kur trajner ishte Sandër Laca. S’vërej asnjë lloj ndryshimi dhe kjo është e pafalshme. Shkodra është djepi i sportit dhe nuk duhet të lejojë të tilla gjëra. Në tanë botën, trajnerët e elitës janë njerëz të veçantë për të cilët tregohet respect dhe i cilësojnë pasuri kombëtare. Në Shqipëri, e kundërta, ata jo vetëm që nuk vlerësohen por nëpërkëmben. Prandaj them se kjo është një tjetër goditje që më është bërë
Titujt që mban
“Mjeshtër i madh”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “nderi i Sportit Shkodran”, Medaljen “Naim Frashëri i Artë”, titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”, “Basketbollisti më i mirë i Shekullit” për Vllazninë, pjesë e “5-shes më të mirë të shekullit të basketbollit shqiptar”.
Trofetë si sportist:
Titullin kampion me Tiranën më 1961, Medalje e Artë në Helsinki më 1962, Kampion me Partizanin më 1964, fitues i Kupës së Republikës me Vllazninë në vitet 1965, 1966 dhe 1967, lojtari më i mirë i Ballkaniadës në vitin 1965
Trofetë si trajner:
Fitues i kupës së Republikës me të rriturit e Vllaznisë më 1981, vendin e tretë në Ballkan me kombëtaren e të rejave më 1991, vendin e dytë në turneun e Montekarlos me kombëtaren e paratërejave më 2006, kampion i Shqipërisë me të rejat e Shkodra Basket në vitet 2009 dhe 2010.