17 trajnerë, sportsitë e instruktorë i janë nënshtruar një trajnimi në sportin e xhudos. Kualifikimi është realizuar në Vau Dejës që është edhe qendra e xhudos në Shqipëri konkretisht në mjediset e Akademisë “Albani Xhudo Kodokan” e cila drejtohet nga mjeshtri i xhudos Anton Shkoza. Të trajnuarit nga data 21 gusht deri me 27 gusht kanë qenë pjesë e këtij kualifikimi duke qëndruar për 7 ditë me radhë në Vau Dejës.

Trajnerët, sportistët e instruktuorët janë klasifikuar në bazë të titujve “dan” që janë të rëndësishme në këtë sport dhe bëjnë klasifikimin e atyre që merren me këtë sport. Varacionet teknike kanë qenë më të përdorshmet në këtë trajnim. Është punuar me teknikën duke qenë se në garat brenda dhe jashtë vendit perveçse ndihmon në arritjen e rezultateve pozitive ndikon edhe për një formim më të mirë qoftë të trajnerëve ashtu edhe të sportistëve. Megjithatë një vëmendje i është kushtuar edhe didaktikës dhe metodikës për mënyrën e dhënies së xhudos në ekipet shqiptare të këtij sporti. Pjesë e trajnimit që u realizua në Akademinë “Albania Xhudo Kodokan” kanë qenë trajnerët e sportistët më të mirë në vend të cilët shpesh herë kanë arritur rezultate të larta në aktivitete të ndryshme brenda e jashtë vendit. Në këtë trajnim 7 ditor ka qenë i ftuar për të marrë pjesë mjeshtri italian i xhudos Angelo Boscceti që mban titullin e lartë 7 dan. Gjatë kualifikimit ka marrë pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Xhudos, Xhelil Sibaku që ka ndjekur nga afër aktivitetin. Pas përfundimit të trajnimit, trajnerët, sportistët e instruktorët e xhudos janë paisur me diplomat të rripit kaf dhe zi që klasifikohet 1 dan. Sporti i xhudos në vendin tonë ka arritur të zhvillohet me ritme të shpejta dhe njëkohësisht sporstitët shqiptarë të xhudos disa herë janë nderuar me rezultate të larta edhe në rang Ndërkombëtar.