Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit është mbyllur në barazim pa gola, duke mos ndryshuar pozicionin në renditje të dy skuadrave. Por ndeshja hapëse e javës së 24-t, që vazhdon të hënën dhe të martën, mund të ketë efekt në ecurinë sidomos të të kuqve që synojnë Europën si objektivin e vetëm që mund të sigurojnë nëpërmjet kampionatit.

Tirana çoi në 9 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë, të cilit i duhet një fitore me Kastriotin që të kthehet përsëri kërcënues për renditjen e bardhebluve. Megjithatë, këta të fundit kanë një distancë të mjaftueshme sigurie për të vazhduar të qetë në rrugën drejt titullit.

Nga ana tjetër, pika e Partizanit mund të krijojë probleme nëse njëra mes Kukësit dhe Vllaznisë fiton duelin direkt mes dy skuadrave që ndajnë me pikë të barabarta vendin e tretë.

Aktualisht të kuqtë kanë 4 pikë diferencë nga këto dy skuadra, por fitorja e secilës prej tyre mund të bëjë që diferenca me vendin e tretë që çon në Europë, të shkojë në 7 pikë e të bëhet pak më e komplikuar për ta arritur.