Ndeshjet e javës së 34-t të Kategorisë Superiore kanë dekretuar një rezultat historik, atë të kualifikimit të Egnatias në Europë.

Fitorja 3-2 ndaj Erzenit i ka siguruar matematikisht diferencën rrogozhinasve për të festuar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Ndërsa gara për titull vazhdon të jetë e hapur mes Tiranës dhe Partizanit, që presin gabimin e njëri-tjetrit për të festuar në një sezon shumë të veçantë.

Më tej, renditja sheh tre skuadra të mbledhura në dy pikë që luftojnë për vendin e katërt në klasifikim, i cili gjithashtu siguron një vend në Europë. Vllaznia, Teuta dhe Laçi i përkasin këtij grupi që pritet të dhurojë “shkëndija” deri në fund.

Kurse mbijetesa sheh në lojë të katër skuadrat, pasi edhe Kastrioti i vendit të fundit, ka shanse teorike që në dy javët e ardhshme të sigurojë pikë të paktën për play-out.