Në morinë e futbollistëve të rinj shkodranë që po rriten jashtë vendit padyshim që ka disa të tilla edhe në Greqi. Njëri prej tyre është edhe Renis Stolaj. I datëlindjes 12 prill 2006 ai ka lindur në Greqi dhe aktualisht është pjesë e Akademisë së klubit “Panionios”, në të cilin siç dihet ka luajtur më parë edhe ish- lojtari i Vllaznisë Lulëzim Bërsheni.

Ky i fundit duket se është shndërruar në një nga tifozët e këtij djaloshi dhe prandaj e ndjek shpesh në stërvitje dhe ndeshje. Renisi luan me ekipin U13 dhe sivjet trajneri po e aktivizon në rolin e qendërmbrojtësit, por vitin e kaluar ka luajtur edhe në rolin e mbrojtësit të djathtë, madje shpeshherë edhe në sulm duke shënuar edhe gola.

Kështu ka ndodhur edhe vitin e kaluar kur ekipi i tij mori pjesë në një turne që u zhvillua në Serbi dhe me golin që shënoi në finale, i dha kupën “Panioniosit”. Duke luajtur në shumë pozicione, Bërshemi thotë shpeshherë se Renisi i çon mallin e Sabah Bizit, lojtarit të famshëm të Vllaznisë që s’ka lënë pozicion në fushë pa luajtur përveç portierit.

Në dhjetor mori pjesë edhe në seleksionimet e organizuara nga FSHF në Athinë dhe ka spikatur me paraqitjet e tij. Renis Stolaj dallohet për përgatitjen e lartë fizike, shpejtësinë dhe saktësinë në pasime.

Duke bërë paraqitje të mira me ekipin aktual, sipas babait të tij- Agustinit, ka patur shumë interesime nga ekipe të tjera, ndër të cilët edhe Olimpiakosi por nuk përjashtohet mundësia që brenda pak vitesh, pse jo të kalojë edhe në ndonjë ekip tjetër europian sepse të dhënat që ka, ia bëjnë atij perspektivën e sigurtë në këtë sport.
Gjergj KOLA