Agence France Presse (AFP) i ka kushtuar një artikull futbollit të vajzave në Shqipëri, një nga priorietet absolute të Federatës Shqiptare të Futbollit për tre vitet e ardhshme. Nga vështirësitë për të luajtur futboll në Shqipëri, tek arbitrimi i ndeshjeve nga vajzat jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe në sfida ndërkombëtare, duket se tashmë tabutë janë thyer dhe ‘beteja është fituar’.

Më poshtë artikulli i plotë i AFP:

Emanuela Rusta i ka sfiduar të gjitha tabutë për t’u bërë e para arbitre vajzë në kampionatin shqiptarë falë vendosmërisë së saj, një gjë e paimagjinueshme në vendet Ballkanike, ku patriarkia stërgjyshore ka filluar të lërë vend. ‘Duhet të luftosh për të qenë e pranuar’ – i thotë AFP arbitrja 29-vjeçare, gjyqtare ndërkombëtare e FIFA-s që prej vitit 2019. ‘Duhet ta thyejmë tabutë’.

Në Shqipëri, futbolli është pasion kombëtar, por futbolli i vajzave është në fillimet e tij, me gati dy dekada ekzistencë: Federata Shqiptare e Futbollit numëron rreth 2000 futbolliste vajza të licencuara, nga 22 mijë që janë djem.

Në mëngjes, Emanuela Rusta punon si mësuese fiskulture në një gjimnaz në qendër të Elbasanit, qytetit të saj të lindjes, ku është e vështirë të jetosh vetëm duke u marrë me sport. Pasdite, ajo stërvitet me kolegët e saj djem. “Për të marrë vendime të drejta, duhet të njohësh rregullat në mënyrë perfekte, por gjithashtu duhet të kesh edhe një gjendje të shkëlqyer fizike dhe aftësi për t’u përqëndruar’ – tregon e reja, e cila jeton me të ëmën në një apartament të vogël të mbushur me medalje që dëshmojnë suksesin e saj. ‘Nuk është e lehtë ‘të thyesh barrierat e stereotipeve gjinore kur mediat lokale bëjnë tituj ‘arbitrja seksi rrit temperaturat’.

Në këtë vend me 2.8 milionë banorë, që ka qenë e veçuar nga bota për shumë kohë për shkak të diktaturës komuniste, shumë gra janë ende të nënshtruara dhe të varura ekonomikisht.

‘Kam vuajtur’ – Por prej shumë vitesh, të drejtat e grave kanë shënuar progres, kryesisht të drejtat e grave të arsimuara. Ato janë më të shumta në poste me përgjegjësi, në magjistratë, në universitet, në ministri: qeveria shqiptare përbëhet nga 70% gra. Arbitrimi ‘nuk është një çështje gjinie, por aftësie’, nënvizon më tej Emanuela Rusta, e cila ka arbitruar një sërë ndeshjesh ndërkombëtare në Europë.

Ambicia e saj është që të arbitrojë ndeshjet e Kipës së Botës për djem, ashtu sikurse bëri së fundmi edhe francezja Stéphanie Frappart, e para për një gjyqtare në Katar. E ndërkohë, ajo shpreson të drejtojë një ditë derbin e futbollit shqiptar mes Tiranës e Partizanit. Disa besojnë se vajzat janë më të mira për ta mbajtur të qetë situatën. ‘Një arbitre vajzë zbut tensionet’ – thotë Andi Verçani, ndjekës i futbollit shqiptar. ‘Ajo krijon një klimë besimi sepse krijon distancë.

Edhe pse e themeluar në vitin 2009, ekipi i vajzave të Vllaznisë së Shkodrës ka fituar tashmë titullin kampion të Shqipërisë dhe ka luajtur kundër Chelsea, Real Madrid-it dhe PSG në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve për vajza për sezonin 2022-2023. “Çelësi i suksesit qëndron te këro vajza, që ia kanë dalë të mposhtin paragjykimet që futbolli nuk është vetëm një sport burrash” – nënvizon Presidenti i klubit të Vllaznisë, Lazër Matija.

Mes lojtareve të Vllaznisë është edhe Megi Doçi, me origjinë nga një fshat i varfër në veri të Shqipërisë. Sulmuesja 26-vjeçare nisi të luajë futboll kundër dëshirës së të ëmës, përpara se të nisej në moshën 12 vjeçare drejt Tiranës për të ndjekur pasionin e saj. Gjërat nuk kanë qenë aspak të thjeshta thotë Megi: “Jam rrëzuar, kam vuajtur, kam qarë, kam ‘gëlltitur’ lotët e mi, por çdo herë jam ngritur dhe kam luftuar. Çështje zemre”. Ambicia e saj nuk ndalet këtu: Ajo ëndërron të luajë për Bayern Munich ose Real Madrid. Ajo stërvitet katër orë në ditë me djemtë. ‘Është një sfidë, peshën e këtij mentaliteti e ndjejmë gjithmonë prezent, pasi këtu nuk janë mësuar ende që t’i shohin vajzat të luajnë futboll’ – vijon Megi.

Të rrallë janë njerëzit që besojnë se një lojtare mund të jetë edhe nënë, siç është edhe rasti i Ardiola Raxhimit, portieres 24-vjeçare të Vllaznisë, që drejton edhe një salon bukurie për burra.

Presidenti Armand Duka siguron që ‘futbolli i vajzave është prioritet’ i Federatës Shqiptare të Futbollit. ‘Për shumë vite, futbolli i vajzave ishte një tabu, pasi futbolli konsiderohej si një sport burrëror. Por ne e kemi fituar këtë betejë’ Por, Presidenti Duka e pranon që barazia nuk është arritur ende: futbollistet vajza marrin një pagesë rreth 400 euro, më pak se gjysma që marrin djemtë. Ndërkaq, 3.4 milionë euro nga 17 milionë euro që është buxheti i Federatës së Futbollit shkojnë për ekipet e vajzave

‘Nuk kam dashur asnjëherë të zgjedh mes karrierës dhe jetës personale. Kam dashur gjithmonë të jem e lumtur me të dyja’ – shpjegon Ardiola, që ka një djalë dy vjeç me Muhametin, një ish-futbollist.