Safet Gjici është i lidhur ngushtësisht me Kukësin e tij, edhe pse tanimë për shkak të angazhimeve në politikë është i detyruar t’i qëndrojë paksa më larg. Këto ditë ai ndodhet në Londër në kuadër të takimeve të tij politike me kuksianë që jetojnë në Angli, por gjithsesi ka gjetur kohën që të shohë me anë të televizorit fitoren e Kukësit ndaj Laçit, e cila erdhi me përmbysje.

Vetë Gjici pohon se kjo ishte një fitore që i ka shijuar më shumë nga të gjitha, duke vlerësuar futbollistët që ka aktualisht ekipi në dispozicion. “Ishte një fitore, e cila në fakt më ka shijuar më shumë se çdo fitore tjetër që ka bërë ekipi i Kukësit dhe i uroj suksese.

Jemi nga qendra e Londrës, e kemi ndjekur me interes të lartë dhe fituam ndeshjen e dytë me përmbysje. Kjo tregon se Kukësi ka një stof të mirë për të luajtur futboll dhe për të kapur ata objektiva që kemi tanimë me këtë klub”, u shpreh fillimisht kryebashkiaku i Kukësit dhe Presidenti i Nderit i kësaj skuadre.

MESAZHI – Edhe pse skuadra e Kukësit noton në ujëra të turbullta dhe po lufton për të siguruar mbijetesën, sërish Safet Gjici është i drejtpërdrejtë, duke dhënë në mënyrë indirekte edhe një mesazh për ekipin. Ai kërkon patjetër Europën, edhe si një përgjigje ndaj skeptikëve. “Për ata skeptikët që mendojnë se Kukësi ka rënë nga kategoria u them që jo vetëm nuk do të bjerë nga kategoria, por do të kapim edhe Europën”, vijoi më tej Presidenti i Nderit, i cili për asnjë moment nuk e ka menduar se skuadra e tij mund të jetë në rrezik për mbijetesën, përpos klasifikimit që thotë të kundërtën.

Sakaq, ai ka një mesazh edhe për ndeshjen e kthimit në Kupë ndaj Teutës, ku beson te përmbysja dhe shkuarja në gjysmëfinale. “Kualifikimi në Kupë është objektivi ynë kryesor tani, me takimin e kthimit, të cilin e kemi në Kukës dhe uroj që ta kalojë edhe këtë tur në Kupë”, u shpreh Safet Gjici, menjëherë pas fitores që verilindorët arritën ndaj Laçit, duke bërë kështu edhe parakalimin ndaj tyre në renditje.

Në fakt, kurbinasit kanë qenë “preja” e preferuar e bluve këtë edicion, sepse e kanë mundur në të tria takimet, duke i marrë pikët e plota. Para ndeshjes së kthimit në Kupë me durrsakët, fillimisht Kukësi ka një ndeshje kampionati, ku do të presë në “Kukës Arena” ekipin e Bylisit.