Trajneri i Petrokubit ka dalë në konferencën për shtyp për të folur para ndeshjes me Lacin. Pas kalimit të turit të parë të Conference League duke mundur Florianën, moldavt duhet të masin forcën e tyre me kurbinasit.

Ndërkohë tekniku Savinov ka treguar vlerësim për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro.

“Në kohën e shkurtër që kishim u përpoqëm të mbledhim informacione të detajuara për kundërshtarin. Natyrisht, ne i kemi studiuar, ky është një ekip shumë i organizuar. Ne i respektojmë, por nuk kemi frikë prej tyre.

Nga këndvështrimi im, skuadra shqiptare është më e organizuar, më e disiplinuar në fushë se kundërshtari ynë i mëparshëm.

Vura re që nuk nxitojnë t’i thonë lamtumirë topit, nuk e hedhin topin më kot përpara, por preferojnë pasimet nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas.

Ata janë shumë të duruar, por në të njëjtën kohë kanë lojtarë të shpejtë, diçka që do të na bëjë të jemi më të kujdesshëm në kundërsulm. Por ata kanë edhe dobësi dhe ne duhet t’i përdorim nesër”, tha trajneri i Petrokub.