Në serinë e lojtarëve të huaj që kanë luajtur me Vllazninë këto vitet e fundit janë edhe këto dy futbollistë të cilët kanë lënë gjurmë me paraqitjet e tyre. Njëri nga ato, mbrojtësi Blazho Rajoviç, ka luajtur më gjatë me kuqeblutë dhe kuptohet që ka lënë përshtypjet e veta pozitive.

Ai ka ardhur për herë të parë në Shkodër nga Podgorica në sezonin 2009-10 ku luajti 21 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Duke qenë se bëri paraqitje të mira, kontrata e tij u rinovua edhe për sezonin 2010-11 ku u aktivizua në 28 ndeshje me fanellën kuqeblu dhe shënoi 2 gola.

Pas këtij sezoni ai u largua për tek Flamurtari e më pas karriera e tij vazhdoi në ekipe të tjera, për t’u rikthyer sërish në “Loro Boriçi” në sezonin 2013-14 ku ishte i pafat sepse pas 6 ndeshjesh, u dëmtua rëndë në gju dhe për rrjedhojë e mbylli sezonin.

Ndërkohë po atë sezon erdhi tek Vllaznia edhe sulmuesi kroat Tomislav Bushiç. Një sezon i mirë për të ndonëse debutonte për herë të parë në futbollin shqiptar, duke luajtur në 29 ndeshje dhe duke shënuar 13 gola.

Që atëherë nuk është larguar më nga vendi ynë duke kaluar tek Tirana fillimisht dhe më pas tek Flamurtari, skuadër me të cilën luan edhe sot, madje duke mbajtut dhe shiritin e kapitenit të saj. Në Shkodër ruajnë përshtypje të mira për të dy këto lojtarë, të cilët në fakt po i mungojnë prej vitesh Vllaznisë.
© shkodrasport.com