Një shkelm Championsit nga Lacio në ndeshjet e fundit dhe një Kupë Italie që duhet fituar. Trajneri Simone Inzagi ka shumë pak kohë të rifitojë besimin e presidentit Klaudio Lotito. Humori është prishur në shtëpinë e Lacios pas humbjes me Kievon e rënë në Serinë B, kus skuadra bardhekaltër ishte krejtësisht jashtë kontrollit.

Ditën e Pashkës trajneri ka folur me skuadrën, duke kërkuar impenjim maksimal deri në fund të sezonit, por presidenti Lotito është mjaft i egërsuar. Ai ka shkuar në Formelo dhe ka folur ashpër përballë lojtarëve, sidomos ndaj Milinkoviç-Saviç dhe Luis Alberto, të dy të ndëshkuar me karton të kuq ndaj Kievos. Lotito ka paralajmëruar revolucion në verë te skuadra e tij.

Dhe çuditërisht ky revolucion mund të nisë nga Igli tare, i cili nuk do të jetë më i plotfuqishëm si deri tani. Lotito ka në plan t’i japë më shumë përgjegjësi për merkaton Anxhelo Perucit, edhe pse Tare i ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme deri tani me blerjet dhe shitjet në merkato. Presidenti i Lacios ka fajësuar stafin mjekësor për dëmtimet e shumta, ndërkohë që nuk dëshiron të vazhdojë me Inzagin në stol.

Nëse Lacio nuk fiton Kupën e Italisë, Lotito synon të marrë në stol Roberto De Zerbin e Sasuolos. Lotito e ka dhënë paralajmërimin dhe mbetet të shihet, nëse ndryshimet do të bëhen apo jo, aq më shumë sa i takon çështjes së Igli Tares, drejtorit sportiv të klubit bardhekaltër./Vipsport/