Përfundon aventura e sulmuesit Rexhinaldo te Kukësi. Futbollisti i ka dhënë lamtumirën verilindorëve dhe me sa duket, ndarja nuk ka qenë edhe aq miqësore, pasi lojtari pretendon se nuk është paguar dhe për këtë arsye do të hedhë në gjyq fituesit e Kupës së Shqipërisë.

Ne fakt, kontrata e lojtarit përfundonte më 31 maj por ai hoqi dorë edhe nga grumbullimi më kombëtaren e Mozambikut për të qëndruar dhe luajtur ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, e cila u vendos falë një goli të tij. Por në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, ai insiston se klubi nuk e ka trajtuar si e meritonte dhe i ka shpallur luftë.

“Para Kupës më thanë ‘Rexhinaldo luaj, fito Kupën pastaj do marrësh të gjitha lekët që ke për të marrë… Pastaj eja të flasim për kontratën e re’… Ndërkohë që tani më thonë që nëse nuk firmos kontratën e re nuk mund të marrësh paratë!

Nuk arrij ta besoj dot këtë gjë! Unë së bashku me familjen time do udhëtojmë për në Mozambik, por këtë çështje do e çoj në FIFA”, tha futbollisti duke shpjeguar situatën e tij të çuditshme te klubi verilindor me të cilin me sa duket do të mbyllë gjithçka me vetëm këtë vit në radhët e tij. /vipsport/