Vetëm një seancë stërvitore me kuqeblutë dhe Andi Ribaj e ka të qartë atë se çfarë presin në Shkodër prej tij: Golat. Sulmuesi vlonjat i sapoardhur tek skuadra shkodrane, në një prononcim për faqen zyrtare të klubit kuqeblu është shprehur i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë dhe premton të bëjë më të mirën për këtë skuadër.

 

“Jam I lumtur që tashmë jam bërë pjesë e Vllaznisë sepse është një ekip me emër dhe traditë që jo më kot konsiderohet djepi i futbollit shqiptar. Sapo drejtuesit e saj më kontaktuan, nuk u mendova dy herë por i thashë menjëherë “po”. Kam ardhur në Shkodër për të dhënë me të mirën time. Sa I takon përbërjes aktuale që ka Vllaznia, mund te them se njoh një pjesë të konsiderueshme që janë pjesë e saj. Në merkaton e sivjetme kanë ardhur lojtarë shumë të mirë të cilët e kanë rritur forcën e skuadrës dhe njëkohësisht kane shtuar edhe konkurrencën dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe do sjellë rezultate pozitive. Jam I mendimit Vllaznia ka ndërtuar një skuadër shumë shumë të mirë sivjet” është shprehur ai. Ardhja e tij është pritur mirë edhe nga tifozëria kuqeblu dhe për këtë arsye, i pyetur se cili është premtimi për të, Ribaj ka deklaruar: “Premtimi im për tifozët? Kam patur gjithmonë respekt për tifozët shkodranë sepse janë të veçantë për mënyrën si e mbeshtesin skuadren e tyre. Mua më kishte rastisur deri më sot të vija si kundërshtar në Shkodër dhe tani nuk më mbetet gjë tjetër vetëm t’i bëj ato për vete, me lojën dhe golat që do të shënoj. Objektivi im është padyshim që të shënoj sa më shume dhe të ndihmoj Vllazninë për arritjen e objektivave të saj. Natyrisht që një sulmues matet me gola dhe prandaj shpresoj të shënoj sa më shumë”.

© shkodrasport.com