Këtë javë, Vllaznia U19 arriti të merrte një fitore 1-4 në transfertë përballë Lushnjës. Një nga protagonistët e takimit me golat e shënuar ishte Rigers Musaraj, i cili në një intervistë për “Shkodra Sport”, na tregon më tepër rreth ndeshjes, ecurisë së ekipit në kampionat apo edhe të ardhmes.

“Deri tani, ecuria e ekipit është shumë e mirë. Jemi në vendin e parë, kemi shtatë ndeshje pa pësuar humbje. Shpresojmë që edhe ndeshjen e rradhës me Partizanin ta mbyllim me fitore.

Në ndeshjen ndaj Lushnjës, unë u ndjeva i lumtur, sepse ndihmova ekipin për fitore dhe në aspektin personal ndihem shumë i lumtur.

Pas golave të shënuar, profesor Sinani më uroi për golat e shënuar ndaj Lushnjës dhe më tha kështu vazhdo, me këtë ecuri. Ne si ekip synojmë Champions League, të hyjmë në katërshe”,-thotë ai.

Në fund, Musaraj shpalos edhe objektivin e tij personal, teksa nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë.

“Objektivi im këtë sezon është të dal golashënuesi më i mirë i kampionatit”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U19, Rigers Musaraj.
Maringlen ZHIVANI