Rilind Hysa, peshëngritësi i Teutës, pozitiv apo jo me doping? Në vazhdim të lajmit që të enjten është publikuar në RTSH 24 dhe RTSH Sport, peshëngritësi durrsak ka treguar se është në pritje të përgjigjes dhe që është në gjendje verifikimi të analizës së tij për çfarë dyshohet.
Ajo që thuhet dhe në e-mailin koinfidencial që Agjencia Kombëtare Antidoping i ka dërguar më 26 janar vetë peshëngritësit është fakti se në analizën e tij të kryer gjatë Kampionatit Kombëtar janë gjetur gjurmë të pazakonta (Atypical Finding) dhe si e tillë peshëngritësi ka patur kohë deri më 13 shkurt që të paraqiste listën e medikamenteve që ka përdorur në 7 ditët e fundit para kryerjes së testit.
Gjë të cilën në fakt Hysa e ka bërë, ndërsa është paraqitur dhe pranë Agjencisë Kombëtare të Antidopingut. Ndaj dhe është në pritje të përgjigjes, aq më tepër po nëpërmjet e-mailit, Agjencia Kombëtare e Antidopingut ka lajmëruar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që përgjigjet e testeve janë në llogaritë personale të sportistëve që janë kontrolluar.
Sikurse ka ndodhur dhe me Hysën, i cili këmbëngul në pritje të përgjigjes, ndërsa ka kërkuar që emri i tij të mos përdoret për interesa të veçanta sikurse ka ndodhur momentalisht përplasja mes Erkand Qerimajt dhe Elez Gjozës.