Kristiano Ronaldo mund të jetë një nga emrat më të kritikuar në muajt e fundit te Juventusi, por askush nuk mund të mohojë faktin se te bardhezinjtë, ai ka shënuar gola si askush para tij në këtë skuadër.

Dje, ai arriti të tundte rrjetën përballë Sasuolos duke regjistruar një rekord të cilit nuk i janë afruar as emrat më të mëdhenj që kanë veshur fanellën bardhezi.

Goli i sotëm i shënuar në fundin e pjesës së parë, ishte ai numër 100 me fanellën e Juventusit në të gjitha kompeticionet, në vetëm 3 edicione të luajtura me fanellën bardhezi. Askush nuk ka bërë më mirë se portugezi, as emra legjendarë si Sivori, Baxhio, Borel, Çarls apo Platini, të cilëve u janë dashur 4 apo 5 sezone për të arritur këtë shifër.

Megjithatë, rekordi i sotëm i Ronaldos është edhe më unik. Kjo për faktin e thjeshtë se ai ka arritur të shënojë të paktën 100 gola me tre skuadra të ndryshme në kampionatet elitare në Europë.

Pas 118 golave me Mançester Junajtid e 450 me Real Madrid, erdhën edhe 100 me Juventusin, duke shtuar më shumë statusin e tij si një nga golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit botëror. /vipsport.al/