Cristiano Ronaldo jashtë Championsit. Manchester United, ku aktivizohet “ylli” portugez, u mposht 0-1 nga Atletico e Madridit në “Old Trafford” e për rrjedhojë mbetet eliminohet që në fazën e 1/8-ave të kompeticionit më të rëndësishëm për klube, pasi sfida e parë në “Wanda Metropolitano” kishte përfunduar 1-1.

Golin e vetëm për ekipin e drejtuar nga Simeone e realizoi Lodi me kokë në fundin e pjesës së parë, pas krosimit të Griezmann.

Gjatë pjesës së dytë “Djajtë e Kuq” shkarkuan të gjitha energjitë për të gjetur golin e barazimit, por mbrojtja e “Los Colchoneros” e veçanërisht portieri Oblak ishin të pakalueshëm. Zhgënjim i madh në radhët e Manchester United, që rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë Championsit sezonin e ardhshëm, pasi në Premier League renditen në vendin e pestë.

Edhe Benfica në çerekfinale të Champions League. Skuadra portugeze bëri mrekullinë në “Johan Cruyjff Arena” të Amsterdamit përballë Ajaxit, të cilin e mposhti 0-1, teksa sfida e parë e zhvilluar në Lisbonë kishte përfunduar në barazim me gola, 2-2.

Një lojë e interpretuar me zgjuarsi nga futbollistët e Benficas, të cilët u mbrojtën mirë dhe e goditën kundërshtarin në minutën e 77 me Nunes.