Në verë pankinat e Kategorisë Superi ore pritet të kenë ndryshime e rokada. Tomas Brdariç e la Vllazninë pa e mbyllur sezonin dhe për momentin është pa një klub, por ka mjaft mundësi që kroatogjermani të qëndrojë në vendin tonë në sezonin e ardhshëm.
Burime ekskluzive për “Panorama Sport” bëjnë me dije se ai është një opsion për stolin e Partizanit pas fundit të këtij sezoni. Para disa ditësh, pra pa u shkarkuar nga Vllaznia, 47-vjeçari është parë i shoqëruar nga drejtues të “demave” në një nga kafenetë e Tiranës.
Megjithëse ky takim mund të ketë qenë rastësor apo shoqëror, i shton shumë shanset e një bashkimi të Brdariç me të kuqtë në verë. Drejtuesit po shikojnë disa opsione për stolin dhe kroatogjermani është një kandidat potencial.
Pa dyshim, Brdariç bën pjesë në pakicën e trajnerëve të huaj, që kanë mundur të ambientohen dhe të korrin sukses në Kategorinë Superiore dhe tashmë ai është në listën e disa klubeve duke i bërë konkurrencë edhe trajnerëve të tjerë shqiptarë, të afirmuar prej vitesh.
LONGO – Megjithëse në një kohë më të shkurtër se Brdariç, edhe Diego Longo ka arritur të ambientohet me Shqipërinë dhe të bëjë relativisht mirë me Kukësin këtë sezon. Verilindorët ndodhen në vendin e tretë dhe deri në një moment të sezonit i bënë rezistencë Tiranës dhe Laçit në garën për titullin kampion.
Kjo ecuri pozitive, por edhe mënyra se si ekipi i italianit luan, ia ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen drejtuesve të Partizanit. Gjithsesi, fakti që te Kukësi po bën relativisht mirë dhe verilindorët besojnë mjaft tek ai, e ka bërë Partizanin të jetë i tërhequr në dëshirën për ta afruar dhe ta mbajë përbrenda admirimin për të si trajner, si një lloj “dashurie platonike”.
Gjithsesi, Longo është një nga opsionet për stolin e Partizanit në rast se largohet Mehmeti, por gjithçka do të varet nga e ardhmja e italianit te Kukësi, që në javët e fundit po vuan për të gjetur rezultatet pozitive.
MEHMETI – Megjithatë, duhet të themi se këto lëvizje nuk i lëkundin aspak pozitat e Dritan Mehmetit te Partizani. Ky i fundit mund të themi se është në një lloj testi dhe në rast se arrin të fitojë Kupën dhe njëkohësisht kualifikimin në Europë, mundësitë për t’u konfirmuar në krye të Partizanit janë të mëdha.
Rruga e bërë deri më tani nga Partizani i tij është pozitive dhe Mehmeti është në trajektoren e duhur për të mbërritur te konfirmimi në krye të Partizanit.