Prej shtatë muajsh është larg fushës së lojës si shkak i dëmtimit dhe operacionit të kryer në tendinë dhe tashmë duket se ky problem ka kaluar dhe shumë shpejt do të jetë gati për të luajtur. bëhet fjalë për volejbollistin e Vllaznisë Ditmir Rrashketa. Në një prononcim për shkodrasport.com, ai ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji do të jetë në dispozicion të trajnerit Kroqi për të luajtur sepse stërvitjen e ka nisur dhe pritet vetëm që të kthehet e të luajë. “Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua sepse kalova një nga dëmtimet më të rënda, pikërisht në tendinë.

Megjithatë gjërat kanë shkuar mirë sa i takon rikuperimit dhe pas 7 muajsh pushim, prej dy javësh kam rinisur stërvitjen. Po mundohem të kap ritmin e grupit, dhe besoj se në fund të këtij muaji do jem në fushë për të luajtur. Mezi po e pres këtë momente sepse të them të drejtën, ndeshjet më kanë munguar shumë gjatë këtyre muajve që kam qenë i dëmtuar”- ka thënë ai. I pyetur në lidhje me ndryshimet në pankinë dhe objektivat që do të ketë këtë sezon Vllaznia, Rrashketa ka bërë të ditur se puna që ekipi po bën, ka një qëllim të vetëm, fitoren e një trofeu. “Ndryshimi i trajnerit ka sjellur një frymë të re në ekip, një stërvitje ndryshe, shumë serioze. Po punohet mirë dhe duket se ka progres e këtë e tregojnë edhe rezultatet e tre ndeshjeve të fundit që janë fituar. Çdo stërvitje, çdo punë po bëhet me një qëllim të caktuar: t’i japim Vllaznisë një trofe këtë sezon”- ka thënë Rrashketa. Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk e nisi mirë kampionatin por tashmë, pas fitoreve të fundit të arritura, duket se gjërat janë normalizuar dhe me rikthimin e shpejtë edhe të Rrashketës në rradhët e saj, kuptohet që do të shfaqet në parket si një ekip pretendent për titullin kampion.

© shkodrasport.com