Shumë prej kampionateve të futbollit në Shqipëri, përfshi këtu atë të Superligës, të kategorisë së parë dhe të moshave, janë shtyrë për shkak të ndeshjes së kombëtares tonë ndaj Izraelit. Të vetmit që do të jenë në fushë këtë fundjavë janë ekipet e kategorisë së dytë të cilët nesër do të zhvillojnë ndeshjet e javës së pestë të kampionatit. Në Shkodër, në orën 14.00 do të luhet takimi Vllaznia B- Egnatia e Rrogozhinës. Ky konsiderohet një takim i fortë pasi rrogozhinasit vetëm një javë më parë kanë fituar me Albetrolin e Patosit që kryesonte renditjen.

Nga ana tjetër, Vllaznia B vjen pas humbjes së pësuar në Gramsh, humbje kjo që ishte e para për të në këtë kampionat. Ka qenë një ndeshje e cila nuk është interpretuar në mënyrën e duhur nga shkodranët të cilët në fakt nuk kanë patur në përbërje të tyre lojtarë të ekipit të parë ngaqë ka patur shumë dëmtime lojtarësh. Përpos kësaj, në pjesën e dytë të këtij takimi të luajtur në Gramsh, në pjesën e dytë është ndëshkuar me karton të kuq edhe mbrojtësi Hoxha dhe për këtë arsye, me 10 futbollistë, nuk kanë mundur dot t’i rezistojnë vendasve të cilët kanë fituar 2-1. Por drejtuesit dhe futbollistët e Vllaznisë B, e kanë lënë prapa këtë ndeshje dhe tashmë po mendojnë për sfidën e rradhës, atë të së nesërmes me Egnatian. Pozitiv është fakti që Vllaznia e madhe nesër e ka pushim dhe trajneri Kraja do të ketë mundësinë që të marrë 5 lojtarë nga ky ekip si përforcim dhe për këtë arsye, pritet një fitore në mënyrë që të rikthehet sërish në vendet e para në renditje.

© shkodrasport.com