Pjesmarrjet në turnetë e ndryshëm ndërkombëtar nuk kanë të sosur për xhudistët e “Albania Judo Kodokan”. Ditën e sotme ata kanë marrë pjesë në turneun “Slobodan Skeroviç” të zhvilluar në Podgoricë të Malit të Zi. Kjo Akademie ka marrë pjesë me një numër të konsiderueshëm sportistësh dhe rezultatet e tyre nuk kanë munguar. Mjafton të themi se ato kanë zënë plot pesë vende të para, pa harruar edhe disa të dytë e të tretë. Kështu, për t’u përmendur janë sukseset e Krista Kovaçit, Sara Dinit, Aila Osmanit, Brikena Dinit dhe Roland Vasisë që kanë zënë vendet e para në peshat e tyre.

Krista Kovaçi ka konkurruar në peshën 25 kg, në grupmoshën e datëlindjes 2009 dhe ka sfiduar të gjithë pjesmarrësit duke zënë vendin e parë dhe merituar medaljen e artë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Sara Dini në peshën 34 kg në grupmoshën 2007 duke zënë edhe ajo vendin e parë. Por për t’u evidentuar është edhe paraqitja e Aila Osmanit që në peshën 38 kg, në grupmoshën 2006, jo vetëm ka zënë vendin e parë por ka marrë edhe trofen e sportistes më të mirë për moshën e saj. Vend të parë ka zënë edhe Brikena Dini në peshën 48 kg në grupmoshën 2004, ndërsa Roland Vasija në peshën 55 kg në grupmoshën 2000 ka sfiduar të gjithë duke merituar medalje ari edhe ai. Nga ana tjetër, vende të dyta kanë zënë Kasandra Kovaçi në peshën 38 kg, në grupmoshën 2006 dhe po në këtë grupmoshë, por në peshën 50 kg, vend të dytë ka zënë edhe Luka Lukaj. Në podium është ngjitur edhe Osman Osmani në peshën 42 kg, grupmosha 2006. Ekipi shkodran në këtë turne është drejtuar nga trajnerët Aurora Shkoza, Luigj Shkoza dhe Juli Marku, ndërsa atë e ka shoqëruar në Mal të Zi edhe presidenti i kësaj Akademie, i mirënjohuri Anton Shkoza. Tetë medaljet e marra sot në Podgoricë nga xhudistët shkodran sigurisht që është një sukses sepse në këtë turne kanë marrë pjesë plot 400 sportistë nga ekipe të ndryshme të Ballkanit dhe për t’u veçuar është sidomos paraqitja e ekipit të femrave të cilët morën shumicën e medaljeve dhe ky është një tregues pozitiv për një të ardhme të sigurtë edhe me ta.
Gjergj KOLA