Njeriu që e ka prekur i pari kupën e kampionit në historinë e ekipit të Vllaznisë është padyshim kapiteni Ditmir Rrashketa. Ai ka përjetuar një ndjesi të veçantë të cilën për fat të keq, shumë breza të njohur sportistësh cilësorë shkodranë, nuk patën shansin ta provojnë në karrierën e tyre. Ditmir Rrashketa për të gjitha këto është shprehur i lumtur, i emocionuar dhe entuziast për titullin e fituar me Vllazninë. “Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë emocion. Jam shpallur disa herë kampion kur kam qenë pjesë e Studentit dhe natyrisht çdo titull kampion i fituar ka bukurinë e tij, por kësaj here ndjesitë ishin ndryshe, për vetë faktin që Vllaznia e fitonte për herë të parë, unë si lojtar dhe kapiten, si dhe më e rëndësishmja me skuadrën e qytetit tënd është një titull që shijon edhe më shumë. Ne thyem Studentin, ekipi kampion prej disa sezoneve radhazi, mposhtëm edhe Partizanin në gjysmëfinale me një trajner dhe ekipi pretendent serioz. Tashmë më e vështirë është që të mbrosh titullin se sa të fitosh. E kam përjetuar edhe kur kam luajtur me skuadër tjetër. Shpresoj ta mbrojmë edhe vitin tjetër me Vllazninë, duke menduar që tashmë e mësuam se si dilet kampion. Natyrisht na duhet mbështetje por besoj se kemi ende për të dhënë për volejbollin shkodran”.

© shkodrasport.com