Ëndrrën e madhe për t’u shpallur kampion nuk e arriti si sportist por e provoi mbrëmë si trajner. Në të parin sezon në krye të Vllaznisë, ai ka arritur ta nxjerrë atë kampione të vendit për herë të parë në historinë e klubit shkodran. Mark Kroqi, ndihet në delir për triumfin e arritur. “Fati i madh për ne, fati i madh për mua, për këtë brez që në njëfarë mënyre rikuperuan diçka që prej shumë vitesh të tjerë e kanë kërkuar. Përmend lojtarë me zë që ka pasur Shqipëria e Shkodra duke filluar me Tonin Fistanin, Ali Bushatin, Adrian Shirokën, Irfan Boriçi, vijuar me një brez më të ri Gjon Mjedën, Gjon Çobën, Besnik Lishën e të tjerë, një plejadë që kanë dhënë mjaft për volejbollin shqiptar, por që nuk kanë arritur ta marrin të paktën një titull kampion.

Më qëlloi mua fati i mirë bashkë me këta djem dhe për këtë jemi shumë të lumtur. Sigurisht që meritën kryesore e kanë këta djem që kanë luajtur jashtëzakonisht mirë, me shpirt gare, me një disiplinë të hekurt në stërvitje, pa mungesa, në kushte ndoshta edhe jo të favorshme”, tha për “SHKODRA SPORT” tekniku shkodran. I pyetur se si ndihet që ka thyer edhe tabunë “Student”, ai thotë: “Fati ynë i mirë, fati i keq i Studentit. Diferencën këtë sezon e bëri sulmi shumë i fuqishëm, ishte me diferencë ndaj skuadrave të tjera. Por përveç kësaj, çelësi kryesor i suksesit tonë ka qenë disiplina. Nuk është rastësi ky titull kampion, por frut i punës së bërë. Në tetë muaj që drejtoj këtë ekip, nuk kam patur as problemin më të vogël me këta sportistë. Janë munduar të bëjnë gjithnjë më të mirën në stërvitje dhe tashmë u shpërblyen. Nuk di të them gjë tjetër veçse jam shumë i lumtur”.
© shkodrasport.com