Trajneri i njohur Mirel Josa, ka qenë sot i ftuari në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ku ka folur fillimisht për kombëtaren kuqezi, e pastaj edhe për etapën e tij te Vllaznia dhe largimin nga kuqeblutë.

Tekniku i njohur ka theksuar optimizmin që ka se Shqipëria do të marrë pikë ndaj polakëve, duke shpresuar që trajneri SIlvinjo të mësojë se si duhet ndaluar skuadra e drejtuar nga Fernando Santos falë duelit që luan sot ndaj Republikës Çeke.

“Jam në një moment pauze dhe nuk mund të flas shumë për ekipin kombëtar. Duhet të shohim një herë si do të bëhet, me staf të ri dhe organizim të ri të kombëtares. Normalisht çdo gjë bëhet për të mirë dhe të shohim e më tepër të flasim pas ndeshjes duke parë ndryshimet se e thashë që është një staf i ri. Duke parë ndryshimet dhe çfarë është bërë në krahasim me ekipin e mëparshëm, në individë dhe mënyrë loje.

Gjithmonë kur ndryshohet trajneri e stafi, i riu ka mendimet e veta, strategjinë e tij, mënyrën e lojës së tij. Kështu që me futbollistët mënyra e komunikimit ka të bëjë shumë. Lojtarët shoh që janë të kënaqur me mënyrën e komunikimit dhe entuziazmin që ka dhënë, por duhen parë gjërat në brendësi.

Jam në dijeni që kanë bërë përpjekjet për një miqësore, por nuk duhet të shikojmë shumë këto miqësoret që bëjnë skuadrat se mund të nxjerrin anë pozitiv që duhet t’i ndjekësh për ndeshjet zyrtare pastaj. Unë më tepër shoh që miqësoret janë qoftë harmonizim tekniko-taktik që do të ketë skuadra, si do të luajë, në mbrojtje e sulm. Por kryesorja është gjendja fizike e lojtarëve në këto momente. Me sa di unë ka një gjendje fizike optimale dhe me lojtarët që ka thirrur trajneri për t’i grumbulluar në ndeshjen e parë.

Koha është e shkurtër, se fundja e fundit një trajner do shumë që të përgatitë një skuadër e cila të hyjë direkt në kompeticion zyrtar. Por edhe ndeshja me Poloninë mund të themi se për ne është më tepër pozitive se edhe Polonia ka ndryshuar staf trajnerësh, ka shkuar Fernando Santos me shumë eksperiencë në futbollin europian. Do ta shohim Poloninë sot si do të luajë dhe kjo është shumë pozitive se edhe trajneri do ta shikojë. Pas një ndeshje mos kujtoni se gjërat do të shkojnë përherë në mënyrë pozitive, se një ndeshje nxjerr problematikat e veta. Edhe Polonia ka problematikat e saj, por Polonia mbetet Poloni.

Nuk është problemi se jemi nostalgjikë, se futbolli nuk është nostalgji, por matet me gjendjen aktuale. Me Poloninë jemi ndeshur unë dhe shokët e mi në shtator 1984 dhe kemi dalë 2-2 në Poloni, pastaj erdhën ndeshjet e tjera, humbja në Tiranë 0-1, jemi ndeshur edhe dy herë të tjera. Një herë në Katovice që humbëm 1-0 dhe në Tiranë 0-0. Por kemi luajtur edhe kohët e fundit, nuk kemi pasur rezultate të mira, kujtoj atë humbje 4-1. Por nuk duhet të shohim historinë në këtë drejtim se do të ishim të mundur pa filluar ndeshja. Do të shohim gjendjen e skuadrave aktuale, debutojnë dy trajnerë të rinj, ana pozitive është që Polonia e nis sot dhe mund ta shohim.

Kombëtarja nuk duhet të ndalë vetëm Levandovskin. Ai nuk ka nevojë ta vlerësoj unë, por bëmat që ka bërë e vazhdon të bëjë me Barcelonën. E kemi parë që ka luajtur këtu dhe mund të themi që çdo lojtar i joni mund ta mbulojë qoftë edhe Levandovskin. Varet si bëhet në zonë apo mbulim personal. Do zonë dhe zonë të organizuar, si ai, ashtu edhe të tjerë se kanë lojtarë shumë të rrezikshëm.

Ndryshim nga Reja? Jam dakord me idetë e trajnerit, edhe pse nuk i di në mënyrë të hollësishme. Nga mbrojtja me 3 apo 5, do kalohet me katër mbrapa. Ky është mendimi im pasi ai është një trajner që këto mënyra loje i ka zbatuar vetë kur ka qenë lojtar te Barcelona apo Siti. Kështu që mendoj se do të ketë një farë ndikimi, por nuk do të thotë që kombëtarja do të bëhet si Barcelona apo Siti.

Nuk mund të jap rezultat, mund të them vetëm që kombëtarja jonë nuk do të dalë pa pikë atje sepse është edhe gjendja e optimizmi që ka. Është edhe për problemet që mund të ketë skuadra polake, që kanë situata dëmtimesh. Do të jetë shumë vendimtare ndeshja e sotme që do të ketë në Çeki”, tha ndër të tjera Josa.

Më pas, Josa u ndal te eksperienca e tij te Vllaznia duke folur rreth çfarë shkoi e çfarë jo, deri në ndarjen nga kuqeblutë.

“Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e Vllaznisë për shansin që më dhanë për të drejtuar këtë skuadër megjithëse momenti para 10 muajsh ishte shumë i papritur për mua. Por më dhanë shansin që të kem një trofe, qoftë për skuadrën e veten time dhe pastaj të vazhdojë puna. Vazhdoi puna në mënyrë që të kishim një ecuri që edhe nga unë pritej më pozitive nga sa ka qenë deri në këto momente. Por duhet të kemi parasysh që është një kampionat i cili është zhvilluar me një rivalitet të plotë. Nuk mund të flas për të ardhmen, por të tashmen e saj, atë deri para 3-4 ditësh që kam qenë në drejtim. Mund të them që kishim oshilacione të cilat normalisht nuk u panë shumë edhe nga mënyra sepse edhe skuadrat e tjera ishin me shumë të tilla në rrugën e tyre.

Futbolli është një luftë ku njëri vritet e tjetri mbijeton. Ne këtë mbijetesë si do ta pështjellojmë? Nuk është vetëm problemi te lojtarët e stafi teknik, nuk është vetëm problemi i organizimit të skuadrës, them atij administrativ. Janë edhe probleme të tjera. Kur them është luftë, se të gjithë duan të arrijnë objektivat, në këto momente ku jemi. Skuadrat pranë fundit, Bylis e Kastrioti, janë ato të cilat e kanë dëmtuar Vllazninë se kanë qenë më të mira në ndeshjet direkte. Vllaznia duhej të kishte mendimin për Europë e para e punës, pastaj se çfarë dilte gjatë rrugës… Vllaznia ndeshjet e forta në letër ka marrë pikë më shumë se kundërshtarët direkt. Duhej të ishim shumë më të kujdesshëm në këtë momente dhe të mos fluturonim shumë për të shkuar te titulli kampion. Por duhej të shihnim ndeshjet e radhës duke parë ndeshjet që kishim.

Duhej të fitonim më tepër dhe duhej të respektonim skuadrat shumë më tepër, kam folur edhe me futbollistët. Vjen një periudhë që gjërat nuk shkojnë mirë për një arsye apo tjetër, që nuk dua t’i prek në këto momente. Ka kohë, sepse problemi është që një skuadër duhet të jetë shumë më e mbyllur brenda kupolës së saj, të qajë hallet brenda për brenda familjes dhe mos dalin në sipërfaqe problemet që ka. Unë respektoj vendimin që kanë marrë drejtuesit dhe normalisht kur nuk fiton, trajneri e paguan, apo kur nuk ke pritshmërinë e duhur.

Mendoj se skuadra ishte në këto momente në një periudhë që mund të shkonte edhe më lart. Por problemi në këto momente ishte se duheshin pikët medoemos, si skuadrave të tjera. Duhej të ishim më të kujdesshëm, e marr te vetja ime e te futbollistët, se nuk të fal njeri gjë vetë. Duhet të jesh 100% i fokusuar në të gjithë drejtimet, duhej të ishim shumë më të kujdesshëm.

Nuk kam asnjë lloj pengu, bilës drejtuesit mund të thonë apo kanë thëna gjëra të tjera po nuk ka asnjë lloj pengu. Unë edhe po të vazhdoja të drejtoja Vllazninë do të kisha përsëri parimet e mia të punës dhe këto ua kam thënë që më përpara apo kur kam filluar punë, sa u përket ndërhyrjeve qoftë në merkato, organizim e qoftë si luan. Se nuk ka mundësi që një lojtar i cili duhet marrë apo jo në lojë, të vendosë si të luajë trajneri e taktikën që do të luajë trajneri. Vetëm kaq mund të them e nuk duhet t’i hyj këtyre problemeve se te Vllaznia ka marrë gjithsecili atë që ka merituar

E ardhmja? Mos kujtoni që do të bëj si vjet. Kishte arsye të tjera vjet, e para se më erdhi Vllaznia dhe Vllazninë nuk është hera e parë por e treta që kam punuar. Ishin njerëz të ri në drejtim, kam mbetur shumë i kënaqur për mënyrën se si janë sjellë njerëzit atje. Se njeriu bën diferenca, kam punuar thuajse në të gjithë Superioren dhe ka qenë një anë pozitive që kam punuar me atë që ka drejtuar Vllazninë. Por për momentin nuk ka pasur asnjë propozim konkret për të ardhmen”, theksoi Josa.