Emanuela Rusta është padyshim një nga arbitret më simpatike në futbollin shqiptar, teksa është njëkohësisht edhe arbitrja e parë shqiptare që merr një stemë të FIFA-s. Rusta ka gjykuar ndeshje të shumta të kampionatit të femrave në Shqipëri, por ka qenë edhe asistente në derbin mes Tiranës dhe Partizanit.

Pavarësisht këtyre ndeshjeve, për Rustën më e veçanta ka qenë finalja e legjendave mes Italisë dhe Greqisë. Në një rrëfim për “VipSport.al”, ajo u ndal edhe te fillimit si arbitre, ndërkohë që zbuloi edhe ëndrrën në sirtar.

-Emanuela, si nisi pasioni për arbitrimin?
Pasioni për arbitrimin lindi nga arbitri më i mirë në Shqipëri, Enea Jorgji.

-A ka qenë ndonjëherë dëshira juaj që të ishit futbolliste?
Jo, nuk kam pasur dëshirë për t’u bërë futbolliste sepse sporti im i preferuar ka qenë basketbolli që e kam ushtruar për 7 vite.

-Sa e vështirë është për një femër në Shqipëri që të lidhet me futbollin?
Aspak nuk është e vështirë nëse i përkushtohet me korrektësi këtij profesioni.

Jeni ndjerë e paragjykuar nga opinioni publik?
Unë personalisht nuk jam ndjerë aspak e paragjykuar nga opinioni publik përkundrazi gjithmonë e kanë parë me pozitivitet faktin e një femre në futboll.

Keni pasur ndonjë rast kur jeni penduar dhe keni menduar të bënit diçka tjetër?
Gabime në arbitrim ka, por është deri diku e pranueshme sepse është një vendim që merret për pak sekonda. Ka raste ku gabojmë, por padashje.

Cila është ëndrra në sirtar e Rustës?
Ëndrra në sirtar e Rustës është që të arrij majat në arbitrimin jashtë vendit. 

Cilën ndeshje do të cilësoje më të bukurën ose të veçantën që ke gjykuar? 
Padiskutim ndeshje e parë për këtë vit, ndeshja e legjendave në “Air Albania Stadium” një finale mes Italisë dhe Greqisë. 

Momenti më i bukur në fushë?
Në fushe ka momente të bukura kur çdo gjë shkon shumë mirë në ndeshje dhe s’ka probleme. 

Më i sikletshmi?
Me i sikletshmi hmm… shpesh herë kemi ndonjë moment që e kalojmë me sportivitet.

Më e vështirë është të gjykosh në ndeshje femrash apo meshkujsh?
Të dyja kanë vështirësitë e veta sepse varet nga niveli i ndeshjes gjithmonë por nuk dua të veçoj asnjërën. Nuk ka ndeshje të lehtë në futboll, pasi çdo gjë pritet të ndodhë.

Çfarë iu këshillon vajzave që duan të ndjekin të njëjtën rrugë por i step paragjykimi?
Unë dua dhe uroj që femrat arbitre të shtohen gjatë këtij viti edhe ta shohin si një profesion të veçantë dhe sfidues për veten. Duhet të bindin veten që femrat mund të bëjnë çdo profesion, njëlloj si meshkujt. 

Çfarë do të thotë për ju të jeni arbitrja e parë shqiptare me stemën e FIFA-s?
Të qenurit arbitrja e parë e FIFA-s në vendin tim është padiskutim një vlerësim dhe arritje për mua edhe për faktin se duhet të përfaqësosh vendin tënd denjësisht në çdo aspekt. /VipSport/