Ndeshja çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Partizani është ndjekur nga afër edhe nga ish kapiteni i kombëtares shqiptare, por edhe ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata. Në prononcimin e dhënë për RTSH Shkodra, Vata është i mendimit se fitorja e kuqebluve me rezultatin 3-1, ishte e merituar, madje mund të ishte edhe më e thellë.

“Vllaznia ishte trime, shumë këmbëngulëse dhe shumë e vendosur në të gjitha duelet që bëri në fushë. Mendoj se fitorja ishte rrezultati më i drejtë për këtë takim madje them se rrezultati mund të ishte edhe më i thellë. Me këtë fitore Vllaznia ka bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit”, tha Rudi Vata, i cili pohoi se Partizani nuk shfaqi vlerat e një skuadre elitare.

Më pas, Vata, foli për pragndeshjen e kampionatit, Teuta-Vllaznia, takim që luhet të hënën në “Niko Dovana”. “Shikoni kjo ndeshje do të jetë mjaft interesante pasi skuadra e Teutës me Edi Martinin është trasnformuar si skuadër. Falë rrezultateve shumë të mira ka arritur që të ngjitet në klasifikim. E parashikoj si një ndeshje mjaft të vështirë për Vllazninë pasi për të fituar në Durrës duhet të shfaqet një ekip kompakt.

Ky takim është mjaft delikat edhe për formën që po kalojnë dy klubet në kampionat. Teuta ka moral të lartë pasi vjen pas fitores në Tiranë përballë Tiranës ndërsa Vllaznia pas humbjes me Kastriotin. Kjo ndeshje mendoj se do të përcaktojë edhe ambicjet e Vllaznisë në kampionat”, pohoi Vata.

Në këtë linjë, sa përket objektivave të Vllaznisë, Vata mendon se kuqeblutë i kanë kapacitetet e duhura për të fituar dy trofetë e sezonit, Kupë dhe Kampionat. “Vllaznia ka organikën e duhur për të përballuar luftën në dy kompeticione. Me afrimin e Balajt ata kanë në gjirin e tyre një lojtar elitar, i cili ka qenë lider i Shqipërisë. Është një ekip me potencial të madh dhe duhet të punojnë të gjithë se bashku”, tha 54-vjeçari.

Për ish-kapitenin e Shqipërisë, sot menaxher i suksesshëm futbolli, ndër të tjera, ndjekja e ndeshjes mes Vllaznisë dhe Partizanit në shoqërinë e sekretarit të prgjithshëm të klubit shkodran, Blendi Dibra, kishte për qëllim vëzhgimin e dy futbollistëve të rinj kuqeblu.

Në fund Vata ndalet edhe te zhvillimet ne futbollin shqiptar ku analizon ecurinë e skuadrëve të tjera në garë. “Tirana është favorite pasi ka disa javë në vendin e parë dhe është ajo skuadra për t’u mundur. Vllaznia e ka mposhtur direkt duke treguar se nuk është utopi të mendosh për titullin. Vllaznia nëse nuk kthehet në një ekip kompakt në fushë atëherë nuk mendoj se ka shanse të kalojë Tiranën në garën për titull”, përfundoi Vata.