Karl-Hainc Rumenige në një intervistë për të përditshmen gjermane “Sport Bild”, tregoi të gjitha objektivat në merkato të klubit bavarez. Drejtori ekzekutiv i kampionëve të Gjermanisë nuk hezitoi gjithashtu të parashikonte fituesin e kampionatit, të cilin mendon se skuadra e Bajernit do ta fitojë pa të voglin dyshim.
Rumenige, ndërprerjen e kampionatit e keni shfrytëzuar për të rinovuar me trajnerin dhe disa lojtarë, kush e ka radhën tani?
Po, është e vërtetë. Kemi bërë disa hapa përpara për sa u përket rinovimeve me trajnerin Hansi Flik, Alfonso Dejvis dhe Tomas Myler. Jemi ende në pritje të Manuel Nojerit dhe David Alabas. Atyre u janë ofruar kontrata me ulje, shpresoj që t’i pranojnë sa më shpejt.
Një nga objektivat e klubit ka qenë pa dyshim edhe Timo Verner, por sulmuesi gjerman ka thënë se nuk do të vinte kurrë këtu, si ju duken këto deklarata?
Nuk jam i befasuar nga fjalët e Vernerit. Por kurrë më parë nuk kam dëgjuar fjalë të tilla nga një lojtar profesionist mbi gjëra që janë shkruar vetëm në gazeta. Nuk ka patur kurrë një interesim konkret për të, nëse do të kishte, atëherë gjithçka do të ishte publike.
Pas shumë pasigurive menduat të rinovonit me Hansi Flik, si erdhi ky vendim?
Ajo që është diskutuar me më shumë prioritet ka qenë rinovimi i Hansi Flik. Trajneri është gjithmonë punonjësi më i rëndësishëm në një skuadër. Jam shumë i lumtur me punën që Hansi ka bërë në këto pak muaj këtu. Ndaj vendosëm që ai dhe stafi që drejton, të rinovonin edhe për disa sezone të tjera. Ata e kanë merituar diçka të tillë.
Uli Hënes u shpreh se Leroi Sane mund të vijë te Bajerni me një çmim të ulët, sa e vërtetë është kjo?
Nuk dua të bëj komente për lojtarë që janë nën kontratë me skuadra të tjera. Kjo nuk është etike. Nëse Uli e ka thënë një gjë të tillë, është OK, pasi ai nuk është më president i klubit dhe si një njeri i lirë, mund të japë mendimin e tij. Janë Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç ata që merren me merkaton, jo unë. Ndaj për këtë duhet të pyesni ata.
Sa e rëndësishme është ndeshja ndaj Unionit?
Shumë, skuadra vjen pas një ndërprerjeje të gjatë të kampionatit. Lojtarët do ta kenë të vështirë të përshtaten, edhe pse kanë nisur stërvitjen e plotë para 3 javëve. E rëndësishme është që kampionati nisi. Futbolli do të jetë një ilaç për shumë njerëz në Gjermani që kanë vuajtur karantinën në muajt e fundit.
“Eurosporti” ndërpreu marrëdhëniet me DLF-në, si ju duk ky vendim?
Jo i drejtë, por nëse ata duan të përfitojnë sa më shumë nga kjo gjendje, ky është problemi i tyre. Duhet të mendojmë edhe për njerëzit që nuk kanë mundësi për të ndjekur ndeshjet e Bundesligës. Të mos harrojmë që jemi kampionati i parë që nisim garën. Nuk do të kemi miliona, por miliarda shikues që mezi presin të na ndjekin.
Do të arrijë Bajerni ta fitojë titullin e 8-të radhazi?
Lufta do të jetë e hapur deri në fund. Sigurisht që skuadra është në gjendje për ta bërë këtë gjë, por të mos harrojmë që pas nesh është Dortmundi. Borusia është e uritur dhe kanë një ekip të fortë. Por në fund mendoj se do të jetë Bajerni ai që do ngrejë sërish “Meisterschahlen” në Mynih. Kampionati është një detyrim për ne, edhe pse këtë sezon duhet të mendojmë edhe për trofe të tjerë, siç është Champions-i. Rruga deri tani ka qenë e suksesshme dhe nëse vazhdojmë kështu, mund të them se jemi një nga skuadrat pretendente për ta fituar atë.