Dita e sotme është e veçantë për ish-volejbollisten dhe ish-trajneren e Vllaznisë Sadie Gogo. Ajo feston 60 vjetorin e lindjes dhe urimet që ka marrë kanë qenë të panumërta. Kuptohet që shumica e tyre kanë ardhur nga njerëz të sportit sepse me volejboll ka kaluar thuajse shumicën e jetës së saj.
Ka lindur më 29 nëntor 1958 dhe me sport nis të merret shumë herët. Ajo bie në sy të specialistëve të cilët e ofrojnë menjëherë në ekipet e Vllaznisë. Luan me të rejat ku trajner është i mirënjohuri Vehbi Sulejmani. Spikat me lojën e saj dhe pasi seleksionohet kalon me ekipin e të rriturave në vitin 1976 aty ku trajner është Mark Grimci.
Sadija luan në pozicionet 3 dhe 4 dhe karriera e saj do të vazhdonte deri në vitin 1983 ku pas 8 vitesh me ekipin e parë, vendos t’i japë lamtumirën volejbollit të luajtur. Më pas do të punonte për vite me rradhës si mësuese e edukimit fizik megjithatë pasioni për sportin e tërheq sërish.
Volejbolli i femrave në Shkodër pas viteve ’90 pati oshilacionet e veta dhe ekipi herë u krijonte dhe herë u shkrinte. Në vitin 2005 u shkri edhe njëherë tjetër dhe dy vjet më vonë do të ishte Sadija që do të grumbullonte një grup vajzash të talentuara dhe do të krijonte ekipin e të rejave.
Shpejt vijnë dhe sukseset me të duke u shpallur kampion me këtë moshë dhe më pas, krijon edhe ekipin e të rriturave me të cilin për disa vite përfaqësohet denjësisht në kampionat, pavarësisht vështirësive që kishte. Ka punuar deri në qershorin e këtij viti me këtë ekip derisa drejtuesit e klubit vendosin ta largojnë nga kjo detyrë.
Gjithsesi Sadie Gogo është vazhdimisht pranë sportit të dashur të dashur. Këtë e vë re në ndeshjet e volejbollit ku ajo nuk mungon asnjëherë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Gjithsesi sot është momenti që ajo të festojë me njerezit e saj të dashur 60 vjetorin e lindjes. Gazeta “Shkodra Sport” i uron asaj edhe 100 vite të tjera të lumtura!
© shkodrasport.com