Kukësi nuk ka një nisje të mirë në këto tre javë të para në Superiore, teksa është ende në kërkim të fitores së parë. Safet Gjici ishte i ftuar në “Fair Play” që drejtohet nga Enkeleida Zeko dhe ka shpërthyer sa i përket pikëve të marra deri tani. Kritika ka pasur për trajnerin Skënder Gega, për lojtarët dhe gjithë stafin teknik. Gjici nuk mund të pranonte kurrsesi fitoren e Kastriotit në Kukës, në atë përmbysje me shifrat 1-2.

“Klubi i ka realizuar të gjitha dëshirat e stafit teknik. Janë krijuar dy ekipe aty, pastaj se çfarë ndodh duhet të pyesni trajnerin dhe pjesën e stafit. Kaq shumë lojtarë cilësor sa ka Kukësi, t’i mbledhësh të gjithë ekipet bashkë nuk janë. Përgjegjësia fillon nga trajneri, stafi, por edhe lojtarët për rezultatet e dobëta.

Klubi i ka plotësuar të gjitha kushtet, fazën përgatitore e bën jashtë vendit. Kemi investim të fuqishëm dhe e çuditshme që kemi këto rezultate të dobëta. Tani ka dy muaj që lojtarët janë bashkë me njëri-tjetrin. Nëse nuk janë lidh, nuk është faji im. Është faji i stafit që nuk janë lidhur me njëri-tjetrin. Justifikmet pastaj janë nga më të ndryshmet.

Këta lojtarë nuk janë amatorë që të duan nga 2 vite që të lidhen me njëri-tjetrin. Duhet të lihen justifikime si ai Longo që vetëm justifikohej. Të ulin kokën dhe të punojnë. Turp i madh që të mundi Kruja në Kukës, e pafalshme. Klubi duhet të reagojë sa nuk është vonë. Nuk mund të durojmë siç duruam vjet pafundësisht dhe pastaj humbëm Europën. Nuk mund të humbësh me Krujën në Kukës, e pamundur.

Sa katër lojtarët tanë është Kruja, si mund të mundesh në Kukës. Kemi marrë lojtarë me emër, ka diçka që nuk shkon aty brenda. Dakort që ndaj Vllaznisë kemi humbur, por pjesa e dytë kishte lojë të bukur. Por ndaj Kastriotit nuk pashë as lojë dhe as formacion të mirë. Kur të rreh Kruja në Kukës nuk mund t’i vendos në emër.

Nuk e kuptoj marrëdhënien që ka me lojtarët, por lojtarët luajnë shumë pa qef. Nuk e di sesi bëhet stërvitja aty. Disa lojtarët mendojnë se kjo është stërvitje e kohës së vjetër. Nuk e di e kanë thënë apo jo, por janë lojtarë shumë cilësorë që vijnë nga kampionate shumë cilësorë, janë mësuar ndryshe. Në Shqipëri punohet vetëm dy orë, jashtë shtetit punohet 10 orë në ditë.

Jo 10 orë në stërvitje, por pas stërvitjes të merresh prapë me klubin. Këtu në Shqipëri trajnerët mbarojnë stërvitjen dhe shkojnë rrinë në kafet e bllokut. Nuk po flas për Gegën këtu, por për të gjithë trajnerët që kam kaluar”, tha Gjici. /Sport Ekspres/