Sinan Idrizi pranon dorëheqjen e Dritan Resulit. Është vetë administratori që konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport”, vendimin e marrë. “Trajneri u largua. E pranova dorëheqjen e tij, nuk kisha si të mos e pranoja. Më thanë se ka shkuar në dhomat e zhveshjes dhe u ka thënë lojtarëve që jap dorëheqjen.

Ka marrë vendimin e tij. Unë nuk kam pse e kthej mbrapa, sepse nuk u këshillua me mua për të dhënë apo jo dorëheqjen. Mua më kishte çuar një mesazh, por nuk e pashë… Sot (dje) e hapa telefonin.

Kam idenë se do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit. Është i mirë si individ, por nuk mjafton të jesh i mirë. Pak rëndësi ka nëse ishte ndeshja e parë apo e dytë, çdo ndeshje vlerësohet njësoj.

Nuk është normale kjo. Unë në atë ndeshje nuk i njoha fare. Ore, ishin lojtarët që kemi pasur ne gjatë gjithë kohës në stërvitje apo i zuri bari a ndonjë gjë tjetër?! Mos kanë pirë… nuk i dihet çfarë pihet në Vlorë.

Një ekip komplet i pakoordinuar. Dëshira ishte e madhe OK, por janë ca gjëra që nuk ia vlen t’i komentosh më”, shprehet fillimisht Idrizi. Resuli u deklaroi lojtarëve në dhomat e zhveshjeve që do të ikë, sepse ka pasur ndërhyrje.

Por administratori shfaqet i habitur nga kjo gjë: “Ka pasur ndërhyrje?! Si ka pasur ndërhyrje?! Ndërhyrje nga kush? Ore, unë do të shkoj ta pyes se për kë e ka fjalën. Unë nuk e kam takuar se erdha mbrëmë në darkë (të shtunën) në Turqi.

Unë habitem me këtë që thotë. Shpresoj të mos jetë ajo fraza klasike që përdoret rëndom në biznese, ku të shkojnë punët keq dhe thonë ‘ma futi ky’.Unë nuk kam parë njeri që të ketë dështuar dhe e pranoj fajin. Gjithmonë e ka fajin ortaku…”, tha Idrizi. Kreu i klubit ndalet edhe te kandidatët për trajnerin e ri, që janë dy të huaj dhe një shqiptar.

“Janë dy-tri pista. Të shikojmë tani. Jam duke u menduar për shqiptarët, por nga ata që kam unë në mendjen time, dy janë të huaj, një është shqiptar. Do ta zgjidhim brenda javës, nuk kemi çfarë presim më”, përfundon Idrizi.