Kukësi do të përballet ditën e nesërme ndaj Partizanit, në supersfidën që pritet të jetë përcaktuese për sa i përket fateve të kampionatit. Në një prononcim për “Koha Jonë”, presidenti i verilindorëve, Safet Gjici ka shpërthyer ndaj trajnerëve që kanë drejtuar Kukësin në të kaluarën, teksa disa prej tyre i quan si teknikë të “kohës së qepës”.

Kreu i verilindorëve nuk ka nguruar të flasë edhe për Ernest Gjokën, trajnerin që u shpall kampion me Kukësin në 2017-tën si dhe Klodian Duron që fitoi Kupën në vitin 2016. +

“Ernest Gjoka bëri mirë si puna e “lopës” deri aty dhe aty ku kishte për të hedhur një hap të madh për veten dhe për klubin i ra me shkelm. Erdhi momenti për të bërë hapin e madh, për të kaluar një tur në Champions League.

Ai duhet të bënte mirë për veten e vet, jo për mua. I thash “mos ja lërë penalltinë Pero Pejiç sepse portieri i atyre ishte kroat dhe logjikisht ai e njeh Peron”. Trajnerët nuk mendojnë shumë, janë “kokëvogël”.

Unë nuk i thash që të hiqte Peron dhe ta gjuante “x”. Trajneri e sheh vet se kush është në formën më të mirë. Aty ishte Emini që shënoi dy gola, tani lërja atij, ta humbë. Edhe Mesi e Ronaldo kanë humbur penallti. 1.3 milion euro humbëm nga ajo penallti.

Gjoka nuk është trajner i keq, por çfarë bëri më pas, mori Vllazninë dhe Kamzën dhe i ul nga kategoria. Një trajner kampion shkon në ekipet që janë në 3-4 ekipet e para dhe nuk mund ta ulë veten. Kjo ndodh sepse nuk është trajner i madh, nuk e bën dot “vezën e madhe”.

Kisha Klodian Duro, ai thoshte se unë ja dhashë Kupën Kukësit. Kur mbyllëm marrëveshjen bashkë i them: “Urime, suksese, ishalla merr një ekip kampion dhe të jetë konkurrues me Kukësin”. Nuk e mori asnjë ekip derisa shkoi te Kamza, humbte 5 ndeshje radhazi dhe vijonte thonte: “Vazhdojmë, jemi të fortë”.

Nuk po e krahasoj me Ernest Gjokën, pasi ai u shpall kampion, edhe pse e bëri skuadra atë dhe jo ai skuadrën. Nuk humbëm asnjë ndeshje atë vit derisa u shpallëm kampion. Ai bëri mirë në aspektin e kampionatit, por shumë keq në aspektin e post-kampionatit. Na mori në “qaf” vetëm për një detaj.

Marrim rastin e Kupës ndaj Teutës, çfarë na bëri trajneri i “famshëm”. Ishim në rezultatin 2-0, shkon e heq Rrocën dhe pjesën e sulmit dhe e fut ekipin në mbrojtje. Do të kishim mbyllur gjithçka. Trajnerët nuk studiojnë kundërshtarët, janë trajner “bjeri ti bimë”.

Trajneri duhet të përgatitet shumë që të shkojnë te dy orët e stërvitjes. Kemi vështirësi të mëdha sepse në Shqipëri nuk ka akademi trajnerësh. Përse nuk kemi trajner për kombëtaren, po shkojmë lusim Panuçin apo dikë tjetër, sepse nuk ka.

Vetëm Ilir Dajën dhe Shpëtim Duron, të gjithë kanë të njëjtën filozofi, me shkollën e kohës së qepës. Futbolli ka evoluar dhe nuk ka lidhje me futbollin e para 20 vitesh.

Trajnerët e huaj nuk është se nuk dinë, por kanë një problem me mentalitetin shqiptar. Ose duhet t’i marrim për një afat të gjatë, duhet të presësh dy vite dhe më pas të pretendosh për titull. Krejt ndryshe Shqipëria nga futbolli austriak. Në Shqipëri nuk pret kush të presësh tri vite për të pretenduar.

Europa të sjell para, pasi nëse nuk arrin në zonën Europiane je i mbaruar. Sezonin e kaluar dolëm më mirë, pasi shitëm edhe Gurin. Në aspektin e futbollit kemi bërë mirë, por në aspektin e trajnerit nuk kemi bërë mirë”, deklaroi Safet Gjici për “Koha Jonë”.