Edhe pse luan në transfertë, edhe pse përballë ka një prej ekipeve më cilësore të fazës së parë, në kategorinë e parë, trajneri i Adës së Velipojës, Samuel Nikaj kërkon të marrë maksimumin sot ndaj Besëlidhjes. Ai kërkon haptazi fitoren, rezultat të cilin do ta kërkojë ndaj fqinjëve të vet, ose në të kundërt nuk do ta pranonte as barazimin. “Në Lezhë shkojmë vetëm për fitore. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë as barazimi nuk do të ketë vlerë për ne”, ka thënë fillimisht trajneri i velipojakëve.

Me këtë, Nikaj, ka lënë të kuptohet se nuk i frikësohet aspak kundërshtarit dhe se Ada e tij, do të kërkojë fitore në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë, ndonëse e presin tre ndeshje radhazi, tepër të forta dhe të vështira për të marrë pikë. “Siç kam besuar edhe më parë, vazhdoj të besoj edhe tani, tek forca e grupit, që kqa skuadra ime. Prandaj në këtë drejtim unë së bashku me skuadrën, në çdo ndeshje, si brenda apo jashtë futemi për fitore. E kjo nuk mund të konsideroher tabu apo e paarritshme, aq më tepër nëse shikon edhe përbërjen e skuadrës sonë.  E respektojmë Besëlidhjen, pasi ndodhet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, por ky fakt nuk na privon aspak për të kërkuar fitoren në Lezhë, në të kundërt të jetë një humbje, që kurrsesi nuk e mendoj. Kemi tre ndeshje radhazi tepër të forta, duke nisur nga nesër (sot) me Besëlidhjen, një javë më vonë me Luftëtarin dhe pastaj me Lushnjën. Në të tria këto sfida duket pak e vështirë, në letër, se Ada mund të marrë pikë, por ne do të provojmë fitoren në të tria takimet”, ka pohuar në fund të deklaratës së tij, trajneri i Adës Samuel Nikaj, i cili ka thënë ndër të tjerash, se e ka përgatitur skuadrën, gjatë gjithë javës, vetëm për një synim, për sot: fitoren. Velipojakët mund të luajnë me një skemë sulmuese 3-4-3, në mënyrë që të kenë më shumë shanse për të arritur synimet e tyre. Në radhët e Adës sot mungojnë Lifja i dëmtuar dhe Hotaj i skualifikuar me kartona të verdhë, ndërsa janë rikthyer dy futbollistë me eksperiencë si Kaçi dhe Isufi.